“Sot po tentohet të bëhet një seancë e zakonshme, por në një vend normal, sot nuk do të kishte qeveri”. Kështu e nisi fjalën e tij në seancën parlamentare Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike, duke iu referuar “deklaratave të jashtëzakonshme” të Ylli Manjanit disa ditë më parë.
“Pas deklaratave të jashtëzakonshme, qeveria duhet të kishte dhënë dorëheqjen ose të ishte në hetim. Kanabizim i vendit, shkelje e Kushtetutës, prokurorë e gjyqtarë që ndiqen nga policia në kundërshtim me ligjin, tendera korruptivë qindra milionë euro që miratohen në mbledhje që nuk ekzistojnë, përdorimi i policisë për të vjedhur zgjedhjet dhe për shantazhe politike… Akuza si këto do të kishin çuar menjëherë në dorëheqjen e qeverisë në një vend normal”, tha Bylykbashi.
Në lidhje me votimin elektronik të kërkuar nga PD-ja, Bylykbashi tha: “Nëse votimi elektronik nuk bëhet, do të thotë që e gjithë platforma juaj për manipulimin e zgjedhjeve do të zbatohet pikë për pikë. Më datë 18 shkurt, sa kohë që qeveria nuk pranon votimin elektronik, shqiptarët do të protestojnë”.
Ndërsa Taulant Balla u përgjigj: “PD-ja e përdor foltoren e Kuvendit për të mbledhur disa njerëz për protesta. Qeveria është në punë dhe kërcënimet e juaja nuk trembin njeri. Qeveria vazhdon të çojë përpara reformat. Po kërkoni alibinë e radhës për humbjen e radhës. Një parti që nuk bën asnjë përgatitje për të hyrë në fushatë zgjedhore e nuk ka gati strukturën minimale të saj, sigurisht që mundohet që me gjoja protesta të bllokojë reformën zgjedhore”.
2 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com) T.CH