Bekim QOKU
Buxheti i shtetit ose buxheti publik, më shumë se kalkulime matematikore, është një dokument publik, pra politik, andaj edhe diskutohet e miratohet nga institucioni më i lartë politik i vendit, siç është Kuvendi i Republikës. Buxheti si deklarim i qeverisë, na tregon për të hyrat, se sa mjete kanë hyrë, prej ku e nga kush dhe të njëjtat para si shpenzohen, ku dhe për kë. Buxheti, paratë e velura nga të gjithë qytetarët e Maqedonisë u kanë shërbyer minimalisht interesave të qytetarit shqiptar në këtë kinse shtet gjoja multietnik. Janë dhënë përplot fakte që dëshmojnë diskriminimin dhe disbalancimin e shpërndarjes së parasë publike. Në Maqedoni buxheti në fakt rishpërndahet, jo shpërndahet. Ashtu si në shtetet e mirëqenies sociale, ku të kamurit mbitatimohen që pastaj në emër të barazisë u rindahet më të skamurve. Por këtu kemi të bëjmë me një rishpërndarje tjetërsoj. Rishpërndarja këtu është etnike; u merret shqiptarëve dhe u ndahet maqedonasve. Për të ilustruar këtë pohim janë dhënë pafund shembuj në një shtrirje të madhë kohore. Por deri më tani, denoncimi s’ka sjellë asnjë ndryshim. Diskrapanca është thelluar madje edhe më shumë. Shkupi 2014 i qindra miliona eurosh dhe mungesa për ujë e ajër në vendbanime shqiptare është kulmi, është klimaksi. Shkupi 2014 është toposi ku shovinizmi dhe skizofrenia shpërfaqen lakuriq. Është vendi ku përveçse mbingopet me bollëk (barok)? partiak maqedonas, njëkohësisht na përplas mungesën totale të pjesëmarrjes shqiptare në vendimmarrje, shto edhe më keq, mungesën e barrierës apo vështirësimin, veti që i atribuohet opozitës. Sado e stërmundimshme të jetë përpjekja e deputetëve shqiptarë të “opozitës” që të duken të paktën serioz në kontestimin e tyre, kurrsesi nuk mund të shlyhet apo harrohet fakti se po këta deputetë kanë votuar pro Kryeparlamentarit Veljanoski, votuan rendin e ditës kur u miratua Qeveria që ata kritikojnë dhe sa për të kujtuar edhe njëherë, votuan Presidentin Ivanov. Opozitë më konstruktive nuk besoj se gjen as në vendet me demokraci më të zhvilluar. Këtu inteligjencën e shqiptarëve e ofendojnë si shpesh të gjithë (se kjo është një akuzë e vazhdueshme). Inteligjencën në fakt e ofendojnë gabimisht. Inteligjenca nuk ka aftësi të skuqet e të nxihet. Morali të skuq e të nxin. E moralin s’e shan kush. Sepse duhet patur të tillë për ta përdor pastaj kundruall të tjerëve. Një parashtrim i një silogjizmi të thjeshtë, sa për të kuptuar ofendimin e inteligjencës, do ishte: Premisa e parë, BDI e keqe sepse mbështet politika të VMRO-së proserbe dhe antishqiptare; Premisa e dytë, VMRO është Ivanov, Veljanoski, Gruevski, Mijallkov; premisa e tretë, Ne votojmë ose bëjmë kuorum pro këtyre në momentet më kruciale; Konkluza: Ne jemi më shqiptarë sepse hiq këto momente “irrelevante” ne kemi retorikën më nacionaliste, ne guxojmë t’i themi gjërat siç janë, paçka se nëse na thuhet ne fund, përsëri do votojmë për ç’na kërkohet. Argatë të mirë – duhet thënë, por uji në mulli të hasmit. Ne jo që s’e kemi inteligjencën për të nxjerrë të këtilla konkluzione, por s’e kemi moralin si forcë vullneti t’i bëjmë ballë të keqes.
Buxheti është thjesht edhe një letër, e zezë mbi të bardhë. Dokumenti shpesh mund të trajtohet edhe si tigër prej letre, letër tualeti etj. Edhe me rastin e këtij dokumenti të rëndësishëm shtetëror, pesha nuk bie aq shumë mbi atë se çka përmban ai, por mbi zbatimin apo realizimin e tij. Janë sërë zërash buxhetor për projekte të vogla e të mëdha, si për shembull biblioteka, teatër, ujësjellës, spitale, shkolla etj. që të njëjtat figurojnë në 10 dhjetë buxhete radhas, pra të shkruara, të zezë në të bardhë dhe kurrë të parealizuara. Është e kotë të kërkohet më shumë, kur nuk realizohet as ajo pak që parashihet nga vetë qeveritarët maqedonas, përfshi ata të BDI-së (që në thelb nuk kanë dallim).
Jo vetëm Buxheti i VMRO-së (edhe nëse është edhe BDI-se, dallim përsëri nuk ka) por edhe Kushtetuta e RM-së parasheh barazi ekonomike. Por se sa realizohet kjo, këtë e dimë të gjithë. Neni 33 thotë: Secili e ka për detyrë të paguajë tatim dhe detyrime të tjera publike dhe të marrë pjesë në përmbushjen e shpenzimeve publike në mënyrë të përcaktuar me ligj. Ndërkaq Neni 57 thotë: Republika e nxit përparimin ekonomik dhe kujdeset për zhvillimin më të balancuar hapësinor dhe rajonal, si dhe për zhvillimin më të shpejtë të rajoneve ekonomikisht jo mjaft të zhvilluara.
Nëse qenkemi të vetëdijshëm dhe kritik për këtë diskriminim, shpesh edhe racist, mos të mbështetemi vetëm tek retorika boshe, që s’po tregon asnjë rezultat, por të shohim edhe modalitete veprimi brenda dhe jashtë institucional.
Modalitet veprimi është ‘decentralizimi i plotë fiskal’. Segmenti i vetëm që disi na mashtron se ka decentralizim fiskal është Bllok dotacionet për kompetencat e deleguara komunave. Pjesa dërmuese e parave dedikohen për rroga, për vendet e punës që patjetër duhet të miratohen nga vetë qeveria. Sidoqoftë këto bllok dotacione përbëjnë në total 7% të buxhetit të përgjithshëm. Të gjitha komunat së bashku marrin 230 mil. Euro nga 3.2 miliardë euro saç është Buxheti i 2016. Kjo do të thotë se 93 % e Buxhetit është krejtësisht në duart e Qeverisë të Gruevskit, Mijallkovit, Veljanovskit dhe Ivanovit. Kjo mund të lexohet edhe kështu: Ministrisë së Kulturës mund t’i alokohet një miliardë Euro që do menaxhoheshin nga ministrja shovene Elizabeta bashkë me Bexhihudinin. Se sa fonde do shkonin për Shkupi 2014 dhe makedonski narodni pesni dhe sa për Muzeun e Alfabetit, këtë pas-gjykojeni vetë.
Tjetër modalitet mund të jetë ‘padëgjueshmëria fiskale’.
Mund që në mënyrë të organizuar dhe krejtësisht legjitime t’u kërkosh ose t’i udhëzosh qytetarët e nëpërkëmbur me vite të tëra që të bëjnë çmos të mos kontribuojnë në mbushjen e arkës shtetërore që nuk u shërben atyre. Mund të ngrihen zyra konsulece ku qytetarët të marrin informata për evazion fiskal. Se si të përdorin vrimat ligjore, për të mos paguar tatime. Nëse shteti dhe qytetari lidhen përmes një kontrate sociale, dhe këtë kontratë e prish njëra palë, që në këtë rast është shteti, qytetari s’ka detyrim ndaj asaj kontrate.
Një tjetër modalitet është apeli që mund t’i bëhet diasporës mos të investojë më në këtë shtet, t’i ndërpresë remitancat, pa të cilat deficiti buxhetor do bëhej i papërballueshëm.
Një modalitet veprimi është ‘luojaliteti i qytetarit’ ndaj kësaj qasje raciste.
Mund t’u kërkojmë qytetarit shqiptar që të blejë produkte të kompanive shqiptare e të bojkotojë produktet e firmave maqedonase që mbështeten nga fonde e subvencione shtetërore. Nëse shteti di të diskriminojë institucionalisht në mënyrën më flagrante të mundshme, pse mos t’i përgjigjemi këtij shteti racist me të njëjtën monedhë. Është krejtësisht legjitime.
A duhet në të paguajmë tatime që ne vet të mësojmë në godina shkollore që rrezikohen të rrënohen dhe pa nxemje dhe me tre ndërrime, për një kategori tjetër njerëzish që të mësojnë në godina të reja dhe moderne me nga një ndërrim.
A duhet ne të paguajmë tatime për rrugët dhe autostradat për zonat, në të cilat qeveria i drejton investimet e huaja ku krijon vende pune, e rrjedhimisht edhe pensionistë të ardhshëm.
A duhet ne të paguajmë tatime për kanalizime e ujësjellës për tjetërkënd kur zonat ku jetojnë shqiptarët e ku nëntoka e mbi toka flenë në ujë, e ne mos kemi ujë të pijshëm e shtëpitë kanë ende jama septike.
A duhet që ne sot të paguajmë dhe kontribuojmë për një të ardhme të tjetërkujt e për vetveten me duart e mendjen tonë të trasojmë vetëm udhën e ikjes dhe eksodit.
Me mendësinë politike të deritashme, s’na mbetet aspak të besojmë se gjërat do ndryshojnë për të mirë. A do të jenë në gjendje që forcat e reja politike të përmbysin këtë mendësi private dhe rrjedhimisht vasale të politikëbërjes aktuale, na mbetet jo vetëm të shpresojmë, por edhe që secili prej nesh të japë mundin e vet që kjo të ndodhë.