Pas dritës jeshile në Komisionin për financim dhe buxhet, nesër buxhetin duhet ta miratojnë edhe anëtarët e Komisionin ligjvënës- juridik. Pastaj dokumenti për shqyrtim shkon në Qeveri. Atje do duhet të shtohen amendamentet e pranuara të VMRO-DPMNE-së dhe Lëvizjes BESA. Këtë sot për Alsat M e konfirmuan nga LSDM-ja qeveritare, sipas të cilëve seanca plenarë për buxhetin në Kuvend do të thirret ka mesi i javës së ardhshme.
Nesër duhet të mbahet seanca e Komisionit juridiko-ligjvënës, pastaj e dërgojmë në Qeveri. Pasi të kthehet dokumenti nga Qeveria, duhet të kalojnë edhe të paktën tre ditë për t’u caktuar seanca plenare- bëhet me dije nga LSDM-ja.
Ndryshe, debati në Komisionin për Buxhet filloi me VMRO-DPMNE-në por vazhdoi pa praninë e saj. Nga kjo parti për shkak të paraburgimit të funksionarëve të saj, bojkotojnë punën e Kuvendit, përfshi edhe punën e Komisionit për financim dhe buxhet. Pushteti i shqyrtoi mbi 200 amendamentet e dorëzuara dhe prej tyre pranoi vetëm
6. VMRO kërkoi, ndërsa pushteti pranoi të ndahen para nga arka e shtetit për subvencionimin e shporetëve me peleta, masë e cila do të vlejë për të gjithë qytetarët e jo vetëm për banorët e Shkupit. Me kërkesë të Besës, do ketë para edhe për zonat ekonomike në Kumanovë dhe Likovë, për park fëmijësh në Nerez dhe për deponinë në Strugë. Arka e shtetit për vitin e ardhshëm peshon 3.5 miliardë euro. Borxhi publik është projektuar në 2.7 % nga PBV-ja, gjegjësisht, shteti përmes borxheve do duhet të mbulojë minus prej rreth 850 milionë euro. Rritja ekonomike është projektuar në 3.2% ndërsa inflacioni pritet të arrijë 1.7%