Pas ankesave të qytetarëve deri tek TV21 për pritjet e gjata në vendkalimin e përbashkët kufitar me vetëm një pikë kontrolli (One Stop Shop) në Qafë Thanë për TV21 është përgjigjur zv/ ministri i Punëve të Brendshme Nazim Bushi duke theksuar se gjithçka po ecën sipas marrëveshjes së bërë.
“Sa i përket funksionimit të vendkalimit të përbashkët kufitar me vetëm një pikë kontrolli (One Stop Shop) në Qafë Thanë, gjithçka po ecën sipas marrëveshjes që ka bërë Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe kjo pikë kufitare tashmë po funksionon dhe po tregon rezultatet e para”, tha Bushi.
Bushi gjithashtu kërkoi mirëkuptim nga qytetarët.
“Presim mirëkuptim nga qytetarët e të dyja vendeve pasi që është vetëm dita e pestë e funksionimit të One Stop Shop në Qafë Thanë. Qytetarët, automjetet që lëshojnë territorin e RMV-së kontrollohen nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, kurse gjatë hyrjes në Maqedoni të Veriut të njëjtët kontrollohen nga policia kufitare e vendit tonë. Tash është dhe piku i sezonit veror, numri i hyrje-daljeve është më i madh, me këtë rast organet e rendit, përkatësisht policitë kufitare edhe të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë po japin maksimumin që mos të lejojnë që të krijohen radhë të gjata. Të gjitha kufijtë tonë duhet të kenë “One Stop Shop”, si një para-akt deri te largimi i tërësishëm i kufijve përgjithmonë midis nesh”, tha Bushi për TV21.


