Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO, miratoi më 17 korrik një rregullore të re që përcakton udhëzime për sigurinë dhe sjelljen në ambientet e saj. Ky vendim, i shoqëruar nga një komentar voluminoz prej 532 faqesh, prek njëherazi aksesin e mediave dhe gazetarëve në gjykatë.
Në një hapësirë të veçantë dedikuar marrëdhënieve me median, hyrja e komentarit, e shkruar nga gjyqtari dhe kryetari në detyrë i GJKKO-së, Erjon Bani, pohon se transparenca e drejtësisë është “një vlerë kushtetuese” në një shoqëri demokratike. Megjithatë, dokumenti shton se kufizimet e reja nuk kanë si qëllim censurën, por synojnë realizimin e “ekuilibrit ndërmjet transparencës së veprimtarisë gjyqësore, mbrojtjes së të drejtave themelore dhe garantimit të sigurisë institucionale”.
Pavarësisht këtij justifikimi, përkthimi i këtyre parimeve në nene konkrete kufizuese ka ngritur alarmin e gazetarëve dhe organizatave të medias. Ajo që gjykata e quan një “sistem të integruar qeverisjeje institucionale”, nga gazetarët e terrenit dhe organizatat e medias shihet si një përpjekje për censurë dhe kufizim të lirive.
Ndryshe nga praktika e deritanishme e dyerve të hapura për seancat publike, rregullorja e re kushtëzon praninë e medias me kërkesa specifike kohore, pavarësisht nëse gazetari është i pajisur me një kartë akreditimi me afat 1-vjeçar.
Sipas nenit 93, pika 3 e rregullores, përfaqësuesit e medias duhet të paraqesin kërkesë pranë administratës së Gjykatës “jo më vonë se 24 orë përpara zhvillimit të saj, nëpërmjet formularit elektronik”. Të njëjtat afate zbatohen edhe për kërkesat për regjistrim filmik, fotografim apo transmetim.
Për gazetarët që mbulojnë çështjet e gjyqësorit, kjo kërkesë përbën një bllokim për mbulimin e seancave dhe një ngarkesë burokratike të pajustifikuar, e cila bie sipas tyre ndesh me Kushtetutën.
Reporterët e terrenit dhe organizatat theksojnë se këto rregulla tejkalojnë nevojën për solemnitet dhe siguri. Ata kritikojnë mungesën e një konsultimi të mëparshëm me mediat dhe gazetarët, dhe po ashtu ngrenë shqetësime se, përpos kërkesës për akreditim, rregullorja ka një sërë kërkesash burokratike për autorizime për ndjekjen e seancave që duhet të jenë publike, duke penguar punën e gazetarëve. Ata thonë po ashtu se rregullorja po duplikon udhëzuesin për komunikimin me median, i miratuar pas konsultimeve të gjata nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
“Ne nuk jemi kundër rregullave që garantojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor. Përkundrazi, besojmë se ato janë të nevojshme. Por çdo kufizim duhet të jetë proporcional, i arsyetuar dhe i bazuar në ligj,” tha për BIRN Isa Myzyraj, përfaqësues i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH).
Më i ashpër në qëndrim ishte Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), që e sheh rregulloren si udhëzues për të shkelur Kushtetutën dhe lirinë e shprehjes.
“Në këto dy dokumente udhëzohet dhe urdhërohet se si gazetarët të pengohen të raportojnë dhe të transmetojnë, por kryesisht edhe se si të jenë të kufizuar për të regjistruar faktet që ndodhin në gjykatë,” thuhet në një qëndrim publik të UGSH-së.
Kryetari i Gjykatës, Erjon Bani nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.



