Dorëshkrim i pakuptueshëm dhe shkarravitje në fletoret e shkollës. Kështu duket thuajse çdo e dyta fletore e nxënësve të cilët me ose padashje kanë shkrim të tillë. Mirëpo, ka edhe të tillë dorëshkrimi i të cilëve është shumë mbresëlënës. Elsa Musliji do të kalojë në klasë të shtatë ndërsa thotë se është e përkushtuar shumë që të ketë shkrim të bukur.
Mua më ka ndikuar natyra ime por poashtu ka ndikuar shumë edhe mësuesja ime Mevlurije Racaj. Ajo gjithmonë na këshillonte që të jemi pedant, t’i respektojmë shenjat e pikësimit, shenjat e drejtshkrimit. Edhe mami im më tregonte, ndonjëherë e shtypsha lapsin, mami im më këshillonte, me tregonte që të shkruaj më lehtë sepse nëse e bëj ndonjë gabim mundem edhe më lehtë ta fshij -deklaroi Elsa Musliji, nxënëse.
Siç tha Elsa, kanë ndodhur raste kur nxënësit janë vlerësuar me notë të dobët pikërisht nga dorëshkrimi i keq dhe i pakuptueshëm.
Na ka këshilluar mësuesja, na ka treguar që kjo ndikon shumë nëse shënoni bukur dhe pedant sepse edhe në teste duhet të shkruajmë mirë dhe jo shpejt sepse nuk është se kush e bën i pari testin por të shkruajmë me logjikë dhe bukur që ta kuptojnë shkrimin -tha Elsa Musliji, nxënëse.
Mësuesja Hata Zylbehari që tashmë 40 vjet kryen këtë profesion tha se vazhdon të ruaj me dashuri fletoret e nxënësve me dorëshkrim të bukur. Sipas Zylbeharit, reformat në arsim dhe heqja e orëve të bukurshkrimit janë shkaku që nxënësit sot nuk dinë të shkruajnë bukur.
Sado që të mundohesh kur nuk i përkushtohesh një orë të plotë drejtshkrimit të bukur, vizë të bukur, të drejtë, nuk është e njejtë. Vështirësitë janë tej mase të mëdha se duhet të korrigjosh çdo të tretën fjalë, ku ka vendosur presjen ose pikën dhe a ka shkruar në vijë të drejtë. Tani, janë këto reforma që dështojnë fëmijët, dështon ardhmëria e tyre. Me keqardhje do ta them se dy gjëra më të bukura nuk kishin nevojë t’i largojnë nga arsimi – theksoi Hata Zylbehari, mësuese.
Gjithashtu, mësuesja Hata Zylbehari flet për atë se zhvillimi i teknologjisë gradualisht po shuan interesin e fëmijëve për dorëshkrim.
Dhe, dëgjon shumë thënie të çuditshme nga fëmijët tani, thonë çka na duhet shkrimi, do të punojmë me laptop – u shpreh Hata Zylbehari, mësuese.
Shumë dashamirë të bukurshkrimit argumentojnë se gjenerata e ardhshme do të jetë aq e papërvojë në dorëshkrim, sa që nuk do të jenë në gjendje as të nënshkruhen, apo të lexojnë dokumentet historike, ose një letër nga gjyshja e tyre./ALSAT