Paraqitja e koronavirusit na ndryshoi përditshmërinë në shumë aspekte. Ajo ndikoi në mbajtjen e distancës, dezinfektimin e ambienteve, dezinfektim të rrobave, dhe sa më shumë pastërti. Këto tre muajt e fundit, me paraqitjen e pandemisë nga virusi i rrezikshëm, ndryshoi edhe mënyrën e shportës së konsumatorëve. Pos ushqimit të nevojshëm, menjëherë radhitet blerja e detergjenteve të ndryshme, si për të mbajtur higjienën personale – ashtu edhe shtëpiake. Shitjet e produkteve ushqimore dhe detergjenteve në këto 100 ditët e fundit, respektivisht që kur u paraqit koronavirusi në vendin tone, kanë qenë produktet më të kërkuara nga shumica e dibranëve. Kompanitë lokale thonë se produktet ushqimore bazë mbeten më të shiturat, si dhe detergjentet dhe produktet e higjienës. Shitjet janë rritur sidomos tek detergjentet për mirëmbajtje higjienike, sapunë, shamponë, detergjente për larjen e rrobave, por nuk është i vogël edhe numri i detergjenteve për dezinfektim siç janë antibakterialet.
Kujdesi për higjienën personale dhe familjare dhe dezinfektimi i sipërfaqeve të shtëpisë apo larja e rrobave më shpesh dhe më gjatë se zakonisht, janë faktorë që ndihmojnë rritjen e konsumit për detergjentet. Larja më e shpeshtë e duarve si kërkesë e situatës së krijuar gjithashtu po konsumon me të madhe llojet e shumta të sapunëve. Ky zakon i kujdesit të shtuar ka qenë në koherencë edhe më parë, por u dyfishua në kohën e pandemisë. Konsumatori, në këtë periudhë, vazhdon të jetë i tërhequr në blerjet brenda shportës ushqimore të mbijetesës dhe është më i kujdesshëm në shpenzime për shkak të pasigurisë për të ardhmen, që duket se do të na shoqërojë për një periudhë të pacaktuar. Por, kompanitë tregtare lokale thonë se në këtë periudhë, shitjet më të mëdha janë për produktet e llojeve të ndryshme të detergjenteve, sidomos për mirëmbajtjen e higjienës familjare dhe të kujdesit personal.
Sidomos me hapjen e kafebareve, restoranteve dhe objekteve shërbyese, numri i kërkesave për detergjente u rrit dukshëm. Pronarët e lokaleve në çdo kohë, në bazë të rregullores së masave qeveritare për dezinfektim të objekteve, harxhojnë sasi të konsiderueshme të detergjenteve të llojeve të ndryshme. Gjithashtu, edhe në objektet fetare janë shtuar harxhimet e detergjenteve, por gjithashtu këto harxhime janë shënuar edhe nëpër institucionet të ndryshme, dyqane, berberë… e kudo që ka qarkullim nga qytetarët. Në bisedën që patëm me Almirën, e cila punon në një shitore tregtare, tha se në pjesën dërmuese të konsumatorëve, në shportat e tyre patjetër se duhet të ketë ndonjë lloj të detergjenti ose thuajse shumë lloje të detergjenteve për hapësirat e shtëpive, për larje rrobash, për larjen e banjave, por edhe për mirëmbajtjen personale. “Është me të vërtet një harxhim i madh i të gjitha llojeve të detergjenteve nga ana e dibranëve. Ato janë blerë edhe më parë, por tani thuajse është dyfishuar numri i tyre që shiten”, shton bashkëbiseduesja e jonë. Paraqitja e pandemisë na ka ndryshuar shumëçka. Edhe duart thuajse secili i lan disa herë me detergjent dhe i dezinfekton, me qëllim që të mbajmë sa më larg virusin korona, por edhe sëmundje të tjera.



