Kandidati i AKI për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, ka njoftuar për një bashkëpunim të rëndësishëm me arkitektin me famë botërore, Michel Rojkind, për hartimin e një vizioni të ri urban për këtë komunë.
Më poshtë shkrimi i plotë i Osmanit:
Sot me Michel Rojkind, një nga arkitektët më të njohur në botë, shëtitëm nëpër lagjet e Çairit. E dëgjova me vëmendje ndërsa analizonte rrugët, hapësirat, njerëzit dhe krijonte vizionin për Çairin.
Gjatë javëve të fundit, së bashku me të, po punojmë për një vizion të rilindjes urbane të Çairit. Çairi më në fund do të ketë një plan afatgjatë për zhvillim dhe urbanizim. Në vizionin e ri, Çairi do të zhvillohet si një komunë moderne, me nevojat e qytetarëve, lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e qytetarëve në qendër të strategjisë.
Michel tashmë ka identifikuar pikat kyçe për përmirësim hapësirat publike, qasjen, estetikën dhe funksionalitetin. Çairi nuk duhet më të shihet si simbol i kaosit, mosfunksionimit dhe mosveprimit. Për mua Çairi është shtëpia ime, dhe si kryetar do të jap çdo atom energjie për ta ngritur nga hiri.