Fejzi HAJDARI
Ish-shefi i diplomacisë maqedone Bujar Osmani, në një “përplasje publike” me kryeministrin Kristijan Mickovski, tha se, citojmë: “Sa kam bërë unë për gjuhën maqedonase, bëje vetëm gjysmën e asaj për gjuhën shqipe”. Kjo ishte përgjigjja e Bujarit! Mickovski ditë më parë e akuzoi Bujarin se “nuk respekton as gjuhën shqipe”. Dmth Bujari e pranon se paska bërë goxha shumë për maqedonishten, edhe pse një gjë të tillë, nga ata që e kanë votuar dhe ata që i ka përfaqësuar, pra shqiptarët, nuk besoj të jetë kërkuar, sidomos jo para gjuhës shqipe.
Mirëpo ndoshta një gjë e tillë vie edhe nga kompleksi përballë të tjerëve, maqedonasve. Një pjesë e madhe e shqiptarëve politikë janë shumë të ngarkuar me atë nëse e flasin bukur maqedonishten, rrjedhimisht në shumë raste duke e anashkaluar gjuhën shqipe. Prandaj ndodh që kur shprehin ngushëllime ndaj dikujt t’i ngatërrojnë gjërat elementare, si psh në vend që ta shkruajnë në facebook “U prehtë në paqe”, e shkruajnë u “preftë në paqe”. Këtë e mora si shembull se sa i japin përparësi maqedonishtes para shqipes, politikanët si puna e Bujarit.
Në pyetjen e një gazetarit se pse negociatat me Bullgarin për ndryshimet kushtetuese nuk po i kushtëzoni me heqjen e “20 pëtqindshit”, Bujari pa kurrfarë turpi e skuqjeje iu përgjigj: “S’është koha tani për heqjen 20 përqindshit”!
Deklaratë më të trishtë dhe me joserioze, unë nuk kanë dëgjuar ndër politikanët shqiptarë kur janë në pyetje kërkesat me interes kombëtarë shqiptarë. Bujari sikur ka harruar se zyrtarizimi i gjuhës shqipe ka qenë kërkesë e vazhdueshme e shqiptarëve, që daton nga koha e Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), pra nga viti 1991, pastaj pjesë edhe e kërkesave të partisë së tij BDI-së, e që nuk po arrinë të realizohet e barabartë si maqedonishtja, as pas 34 viteve. Ja ky është kontributi i bujarit për shqipen. Ndoshta Bujari, sic thotë edhe vetë, pak a shumë, ka qenë i zënë me maqedonishten. Çfarë të thuash përvec se “hajt bre se punë Bujari”!?
Bujarit duhet me i tregu se serbët me 3 për qind, e kanë të zyrtarizuar gjuhën serbe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Bujari mos u bëjë se nuk e di edhe këtë. Bujar mos u bëjë se e ke harruar edhe “9-Pikëshin” për veriun e Kosovës, në cilësinë e drejtuesit të OSBE-së me rotacion, që përputhuej pak a shumë me kërkesat e presidentit serb Aleksandar Vuciq për tërheqjen e 4 kryetarëve shqiptarëve të komunave në veri dhe njësiteve speciale policore të Kosovës.
Bujar mos bëjë mëkate tjera se mjaftojnë edhe këto që t’i përmenda më sipër. Sidomos mos bëjë mëkate tani në muajin e Ramazanit. Mos u mburr se sa ke bërë për maqedonishten, sepse nuk po ta kërkon atë kurrkush nga shqiptarët, na trego sesa ke bërë për shqipen? Dhe mos na bindë se pas 34 vitesh, “nuk është koha për heqjen 20 përqindshit”.
Bujar në politikë gjynahet nuk lahen as me shkuarje në haxh, sepse ato i shkruan historia.
“9-Pikëshin” e OSBE-së kurrë nuk do ta falin kosovarët, kurse moskushtëzimin e negociatave me Bullgarinë, “për heqjen e 20 përqindshit” kurrë nuk do ta falin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.