Një i burgosur jeton me plumb në këmbë në burgun më të madh në Maqedoni, atë të Idrizovës afër Shkupit, shkruan Dosie.mk. Sipas informacioneve të këtij portali, i arrestuari është dashur të dërgohet për shërim në Klinikën e kirurgjisë, por autoritetet e burgut nuk e dërgojnë me muaj të tërë, transmeton Gazeta Lajm.
Ai posedon leje nga gjykata për shërim, kurse autoritetet e burgut është dashur ta dërgojnë në klinikë më 8 maj, kur edhe i është caktuar termin te mjeku. Mirëpo për shkaqe të pasqaruara ai nuk është dërguar. Për shkak të plumbit që ka në këmbën e djathtë, ai mund të mbetet invalid tërë jetën.
Autoritetet e burgut kanë deklaruar se pritet asistencë për transferimin dhe ruajtjen e tij në spital, për çka veçmë është caktuar termin i ri shëndetësor. Bëhet fjalë për të arrestuarin Bujamin Fetov, një nga shtatë shtetasit e Maqedonisë të dënuar nën akuzë për pjesëmarrje në luftën e Sirisë. Gjashtë prej tyre janë dënuar me nga 6 vite, kurse njëri me 9 vite burg.



