Kryeministrja britanike Tereza Mej dhe ministri i Punëve të Jashtme Boris Xhonson, gjatë takimeve të ndara me kryeministrin Zoran Zaev dhe zëvendës kryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, kanë shprehur mbështetje të aspiratave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.
“Në takimet e veçanta u shpreh interes i veçantë për zbatimin e reformave në Maqedoni, si dhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe për projektet në bashkëpunimin rajonal që u theksuan gjatë Samitit Investues për Ballkanin Perëndimor në organizim të Bankës Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim që u mbajt dje në Londër”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Në njoftim, gjithashtu thuhet se kryeministri Zaev ka informuar dhe për aktivitetet e Qeverisë lidhur me proceset euroatlantike dhe integruese, veçanërisht duke theksuar pritjet e Maqedonisë për marrjen e rekomandimit për fillimin e negociatave me BE-në, si dhe për pritjet që të bëhemi vendi i 30-të anëtar i NATO-s në vitin 2018.
Takimi është realizuar gjatë kohës së pranimit për nderë të shefave të qeverive të vendeve nga Ballkani Perëndimor në Londër.
Arbnora Memeti
Almakos.com