Një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me reshje të rrëmbyeshme shiu, erë të përforcuar, bubullima dhe breshër, pasditen e sotme përfshiu disa rajone të vendit. Sipas informacioneve të jashtëzakonshme të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), paqëndrueshmëria atmosferike lëvizi nga perëndimi drejt lindjes, duke sjellë reshje të dendura në disa qytete. Meteorologët paralajmërojnë se moti i paqëndrueshëm, me stuhi lokale, do të vazhdojë edhe nesër, përfshirë edhe rajonin e Shkupit.
Vatrat e para të fuqishme të paqëndrueshmërisë u krijuan pasditen e sotme në veri dhe veriperëndim të Kërçovës, si dhe në rrethinën e Dibrës dhe Manastirit. Sistemi i vranësirave u intensifikua me shpejtësi dhe u përhap drejt Brodit të Maqedonisë, ku u regjistruan erëra të fuqishme dhe breshër i imët.
Reshje të rrëmbyeshme, të shoqëruara me bubullima, përfshinë pjesë të Gostivarit dhe Negotinës, ndërsa më vonë stuhia u zhvendos në perëndim të Velesit dhe drejt Koçanit. Në orën 17:00, stacionet zyrtare matëse të DPHM-së regjistruan temperatura maksimale prej 36,9 gradësh në Gjevgjeli dhe 36,6 gradësh në Demir Kapi. Ndërkohë, në Strumicë ranë 45,4 litra shi për metër katror, duke bërë që temperatura atje të ulej në 21,3 gradë.
Moti i lig, i shoqëruar me reshje të rrëmbyeshme shiu, erë dhe bubullima, ka përfshirë edhe Shkupin. Në disa pjesë të Luginës së Shkupit është regjistruar paqëndrueshmëri më e theksuar atmosferike, ndërsa lokalisht ekzistojnë kushte edhe për paraqitje të breshrit.
DPHM-ja paralajmëron se nesër paradite moti do të mbetet me diell dhe i ngrohtë, ndërsa gjatë pasdites pritet një valë e re paqëndrueshmërie. Në disa zona, proceset atmosferike do të jenë më intensive, me kushte për stuhi lokale, breshër, erë të fuqishme veriore dhe reshje të rrëmbyeshme shiu.
Paqëndrueshmëria pritet të qetësohet plotësisht nga fundi i javës së punës. Nga e premtja, më 4 shtator, pason një periudhë me mot kryesisht me diell dhe të ngrohtë, me vranësira të pakta deri mesatare.
Temperaturat ditore do të shënojnë sërish rritje. Të premten dhe të shtunën ato do të lëvizin nga 28 deri në 36 gradë, ndërsa të dielën, më 6 shtator, temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 37 gradë.



