Historia e censusit në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjithmonë ka qenë një temë jo e rehatshme për ligjërimin publik.
I parehatshëm, sepse ai prish rehatinë për ata që tashmë janë etabluar mirë në insitucionet e shtetit prej tashmë 20 vitesh pas konfliktit të 2001-shit.
Në qarqet akademike jugosllave dhe postjugosllave, por edhe në ligjërimin e imët individual, biopolitika si mendim dhe si shkencë, ka qenë pjesë e tavolinave si tezë shkencore, edhe shqetësim privat i individëve privatë (maqedonas).
“Shqiptarët, e dini, duan të pushtojnë botën duke u shtuar më shumë se ne. Ju e dini se edhe hoxha nuk do t’i shkonte në shtëpi asnjë familjeje që nuk ka të paktën 5 fëmijë”.”- … i tha Murgeshë Tatjana gazetarit amerikan Robert Kaplan, kur në vitet 80 i njëjti vizitoi kishat ortodokse sllave në Graçanicë.
Ky nivel imcak ligjërimor shprehet si kulmacion historikisht, nga “Çrrënjosja e Shqiptarëve” të Vase Çubrilloviq deri te “Enciklopedia Maqedonase” në vitin 2009, të kryesuar nga akademiku maqedonas Bllazhe Ristevski.
Shembuj të politikave, të bazuar mbi perspektivën e frikës nga biologjia dhe demografia, ka pafund, ku mund të veçojmë tentivat për subvencione selektive në shtimin e popullsisë, krijimin e zonës së 7 zgjedhore, e cila tkurrte fuqinë e mërgatës shqiptare në 0 deri në 1 mandat, etj.
Pra, nga përshtypjet e pëditshme të popullit shumicë* për ardhacakët* deri tek tezat shkencore të akademive, mendimi politik sllav prej vitesh i mëshon biopolitikës si shkencë, ose më saktë shfarrosjes së shqiptarëve, me ç’rast ndryshojnë veç termat.
Nga platforma raciste e Çubrilloviqit deri tek tekstet shkollore maqedonase nuk ka ndonjë tejkalim të madh si metodë. Dallon veç teksti, nga trajta urdhërore tek Vase Çubrilloviç tek trajta dëftore e librit të Gjeografisë për vitin e dytë në shkollat e mesme për Maqedoninë (e Veriut).
Te i pari kemi teknikat si t’u thuhet shqiptarëve të shkojnë në Anadoll, tek rasti Enciklopedia* dhe Gjeografia* kemi thjesht konstatim dhe dëftim, se shqiptarët janë fise malesh, që kanë ardhur nga ca male të tjerë nga Kaukazi.
Duke bërë politikë me termat e biologjisë, si individë dhe si kolektivitet, populli shumicë, e pruri punën që edhe në dokumentin parathemeltar të Marrëveshjes së Ohrit, të sjellë numrat si parim dhe jo parimin si vlerë (qoftë edhe si dobi marxhinale numrash).
Kështu, në kapitullin e 4-t të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, në pika të veçanta sanksionohen të drejtat për mosdiskriminimin dhe përfaqësimin barazitar. Me pak fjalë aty sanksionohet e drejta e diskriminimit pozitiv përkundër meritokracisë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të komuniteteve, pra e gjitha në bazë të një censusi të besueshëm paraprakisht. Me pak fjalë, nëse shqiptarët në RMV përbëjnë 1/3 ën e popullatës, po aq duhet të jetë raporti i administratorëve shqiptarë me të tjerët në të gjitha nivelet e administratës, horizontalisht si shtrirje në institucione, e vertikalisht si titullarë përkatës.
Pika e 6 e marrëveshjen sanksionon të drejtën e përdorimit të gjuhës zyrtare si dhe të arsimit të lartë publik të financuar me mjete autonome dhe shtetërore për komunitetet të cilat përbëjnë më shumë se 20% të popullatës, që flasin gjuhë tjetër nga maqedonishtja.
Teorikisht pra, palët dhe garantuesit janë pajtuar mbi parimin si numër, 20%.
Arsyet pse kjo ka ndodhur, përbëjnë një temë tjetër diskutimi, megjithatë një skolastik i marrëveshjeve të tilla, do të ngrente dyshim të rëndë me një pyetje të thjeshtë:
Çfarë nëse dikush vendos të luajë me numrat?
Kësaj pyetjeje duhet përgjigjur më vonë, pasi të ketë mbaruar ky proces, që ndodh pas rreth 20 vitesh.
Numrat bashkë me parimet kanë degraduar nga Marrëveshja e Ohrit tek Kushtetuta e RMV së, e nga kushtetuta tek ligjet e veçanta.
Në 2002-shin shqiptarët nuk e kaluan shifrën relative të 26%.
E njëjta logjikë e numrave flet edhe për simbolet dhe identitetin kombëtar, me ligj të veçantë përdorimin e simboleve kombëtare e kanë veç komunitetet, ku në komunat që jetojnë përbëjnë mbi 50%, të popullatës.
Sot, pjesëtarë të shoqërisë civile, njerëz të medias bile edhe formacione politike, po e konsiderojnë të drejtën politike kolektive të shqiptarit politik si numër relativ.
Mes tyre, Neni 7 i kushtetutës që sanksionon të drejtën e përdorimit të gjuhëve thotë fjalë për fjalë kështu:
“Në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.
Në njësitë e vetadministrimit lokal, në të cilat si shumicë jetojnë pjesëtarët e kombësive, në përdorim zyrtar krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik, janë edhe gjuha dhe alfabeti i kombësive në mënyrë të përcaktuar me ligj.
Në njësitë e vetadministrimit lokal, në të cilat në numër të konsiderueshëm jetojnë pjesëtarët e kombësive, në përdorim zyrtar krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik, janë edhe gjuha dhe alfabeti i kombësive, në kushte dhe në mënyrë të përcaktuara me ligj.”
Pra jo vetëm që nuk përmendet Gjuha Shqipe, por në ligjin përkatës përcaktohet me termin pezhoratin “Gjuha që e flasin 20/100 e popullatës dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja”.
Rasti më i dukshëm si kapërcim gjeometrik progresiv numrash është rasti i simboleve, ku nga termi shumicë* në M.O dhe kushtetutë, përfundohet tek 50% -shi si matës i atyre që kanë të drejtë ta përdorin flamurin kombëtar në institucione me logjikë rajonale. Kështu, flamuri kombëtar mund të qëndrojë e përdoret zyrtarisht në Strugë por jo edhe në Kumanovë.
Rendi juridik e kushtetues i shprehur me numra si në asnjë vend tjetër në Evropë, nuk është pasojë e ngjarjeve me rëndësi historike, por më tepër se aq, për shkak të një mendësie, që në totalitet, e sheh qenien politike shqiptare si numër, që duhet t’i afrohet parametrave 0.
Gjeografi dhe popullatë; Biologji dhe matematikë; i tillë është mendimi, jugosllav dhe postjugosllav në RMV.
E kur jemi te Gjeografia* s’ka si mos e përmendim skandalin me tekstet e shkollave në këtë lëndë, ku me vite të tëra, në faqet e librit të Gjeografia Vit II Gjimnaz, shkruan se shqiptarët janë ardhacakë me prejardhje çengele*, ngjajshëm, për të mos thënë fjalë për fjalë si te Enciklopedia Maqedonase 2009 e Bllazhe Ristevskit.
I shtrirë në kohë, nga ish- Jugosllavia deri tek Marrëveshja e Prespës, maqedonasit në të gjitha nivelet e ligjërimit, pothuajse në totalitet, e kanë parë shqiptarin si demografikisht të dëmshëm, biopolitikisht të cënueshëm (vulnerabël).
Për pasojë, shqiptarët kanë krijuar një identitet dhe kanë formuar një kulturë minimaliste qëndrestare.
A do të mjaftojë kjo qasje si vektor i ruajtes së interesave kruciale kombëtare në RMV tani e tutje? Kjo është një pyetje tjetër.
Ndërkohë duhet punuar brenda logjikës së numrave, duke u regjistruar çdo pjesëtar i mërgatës, duke marrë nënshtetësi ata mijëra burra e gra, te cilët nuk e gëzojnë këtë të drejtë pas vitit 1990.
Tani, mund të ngrihet dhe dilema se shqiptarët po e kryejnë vetë biopolitikën në mënyrë autodestruktive. Nuk ishte një shkrim për mëkatet e politikës shqiptare në RMV, kryesisht të partisë që qeveris prej 20 vitesh (BDI).
Paaftësia dhe korrupsioni i vetë shqiptarëve janë pjesë integrale e asaj pse, biopolitika sllave ka sukses si shpopullim.
Por, ajo që na mbetet tani është të regjistrohemi, e ta shfrytëzojmë qasjen e shtetit dhe shoqërisë maqedonase si një mesazh, që politikën duhet ta shohim edhe nga dimensioni shkencor.
Të niset me mërgatën shqiptare nga RMV, e shembulli të ndiqet për gjithë mërgatën shqiptare në botë, nga Turqia në ShBA, nga Oqeania në Europë./RrugaPress