Sot u zhvillua një ngjarje historike për sektorin energjetik maqedonas me vendosjen e gurthemelit
për linjën 400 kV nga TS “Manastir 2” deri te kufiri maqedono-shqiptar. Ky projekt kapital është
një interkoneksion strategjik që përmbyll lidhjen elektroenergjetike të Maqedonisë së Veriut me
të gjithë fqinjët dhe e forcon pozicionin e vendit si partner i besueshëm në energjetikën rajonale.
Në ngjarje morën pjesë: kryeministri, Hristijan Mickoski; ministrja e energjisë, minierave dhe
burimeve minerale, Sanja Bozhinovska; ministri shqiptar i energjetikës, Enea Karakaçi;
përfaqësues të BERZH-it, BE-së dhe vetëqeverisjes lokale, si dhe menaxhmenti dhe ekipet e
projektit të ShA MEPSO.
Ministrja Sanja Bozhinovska në fjalimin e saj theksoi:
“Sot qëndrojmë para një projekti që shënon të ardhmen e sistemit energjetik maqedonas. Me
linjën interkonektive 400 kV forcojmë rrjetin e transmetimit, rrisim kapacitetin e transmetimit
dhe e konsolidojmë pozicionin tonë në rrjedhat rajonale të energjisë. Ky projekt është një mesazh
për investitorët se infrastruktura jonë e transmetimit është e gatshme për ekonominë e së ardhmes
dhe tranzicionin e gjelbër.”
Projekti jo vetëm që rrit sigurinë dhe stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, por mundëson
edhe integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, nxit investime në sektorin
energjetik dhe mbyll degën e vetme të hapur në sistemin kombëtar të transmetimi.
Historia e projektit tregon se përmes vendimeve strategjike të MEPSO-s, 51,2% e pajisjeve
tashmë është siguruar dhe do të përdoret nga kontraktori i ri i përzgjedhur, gjë që garanton
vazhdimësinë e investimit dhe mbrojtjen e interesit shtetëror.
Me këtë interkoneksion, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria forcojnë partneritetin rajonal,
mundësojnë shkëmbim të qëndrueshëm të energjisë së gjelbër dhe dërgojnë një mesazh të qartë
për besueshmëri në politikat energjetike evropiane. Projekti përfshin ndërtimin e një linje
transmetimi me gjatësi 97,5 km në territorin maqedonas, të vendosur mbi 269 shtylla çeliku me
rrjetë, një nënstacion transformatorësh në afërsi të Ohrit dhe një fushë linje në TS Manastir 2, me
afat realizimi prej 900 ditësh (30 muaj). Projekti financohet dhe mbështetet nga partnerë
ndërkombëtarë, përfshirë BERZH-in dhe BE-në, dhe është pjesë kryesore e Korridorit energjetik
rajonal 8. Me realizimin e tij, Maqedonia e Veriut konfirmon interesin e saj strategjik për një të
ardhme energjetike moderne, të qëndrueshme dhe të gjelbër.


