Shkëmbimi i përvojave me vende si Kazakistani, që kanë një traditë dhe ekspertizë të fortë në sektorin e energjisë është i rëndësishëm për vendin tonë në procesin e ndërtimit të një të ardhme të qëndrueshme energjetike, vlerëson ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.
Bozhinovska në Kazakistan u takua me homologun e saj Erlan Akenzhenov me të cilin bisedoi për përvojat në realizimin e tranzicionit energjetik, rolin e mineraleve kritike në ekonominë e gjelbër, si dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushat e burimeve të rinovueshme të energjisë, hulumtimeve gjeologjike dhe mundësive për investime.
Bozhinovska, siç informoi sot Ministria përkatëse, ka theksuar se vendi është i përkushtuar në ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm dhe transparent për përdorimin e burimeve minerale vendore dhe se bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është kusht kyç për menaxhimin e suksesshëm të sfidave globale energjetike.
Ministri Akenzhenov ka përshëndetur angazhimin e Maqedonisë së Veriut për tranzicionin e gjelbër dhe ka theksuar se Kazakistani sheh mundësi për bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në fushën e shkëmbimit të njohurive teknike dhe qasjes në teknologji të reja.
“Kazakistani është i gatshëm të ndajë përvojat dhe të ndërtojë partneritete të reja me vendet që kanë një vizion të qartë për zhvillimin energjetik dhe përdorimin racional të burimeve”, theksoi Akenzhenov.
Dy ministrat janë pajtuar se ka një potencial real për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e energjetikës. Janë identifikuar mundësi konkrete për shkëmbim njohurish dhe ekspertize teknike, veçanërisht në lidhje me zhvillimin e hidrogjenit si burim energjie për të ardhmen – një fushë në të cilën Kazakistani tashmë ka projekte aktive dhe të avancuara.
Është vlerësuar se përvoja e Kazakistanit në krijimin dhe përdorimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë mund të jetë shumë e dobishme për vendin tonë në procesin e stabilizimit dhe modernizimit të sistemit energjetik kombëtar.
Ministrja Bozhinovska e ka ftuar ministrin Akenzhenov të vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe të marrë pjesë në Forumin ndërkombëtar që do të mbahet në tetor në Shkup nën organizim të Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Mineraleve. Forumi do të përbëjë një platformë të rëndësishme për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në sektor.
“Pasdite, ministrja Bozhinovska do të mbajë fjalim në forumin ndërkombëtar gjatë sesionit ‘The Resource Race: Who Controls the Green Future”.