Voltiza Duro – Prej më shumë se një viti bota ndodhet nën kthetrat e pandemisë COVID-19. Por çfarë janë pandemitë dhe cilët janë faktorët që i kushtëzojnë? Cila është origjina e koronavirusit? Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” mjeku i njohur virolog-imunolog, prof. Dr. Kristaq Bërxholi tregon në mënyrë të detajuar se si shpërthejnë sëmundjet infektive. Ai shton se vëmendja e politikave të rëndësishme aktualisht është përqendruar në nevojën për të identifikuar dhe kufizuar shpërthimet e shfaqura që mund të shpien në pandemi si dhe për të zgjeruar e mbështetur investimet, për të ndërtuar struktura e për të rritur gatishmërinë dhe kapacitetet shëndetësore.
Çfarë janë pandemitë?
Pandemitë janë një shpërthim i sëmundjeve infektive dhe përhapje në një shkallë të gjerë të tyre duke rritur sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë midis popullacioneve humane dhe animale. Pandemitë shkaktojnë një dëm sinjifikativ ekonomik, social dhe politik. Të dhënat tregojnë se shfaqja e pandemive është rritur me kalimin e shekujve si pasojë e rritjes globale të integrimit, urbanizimit, ndryshimeve në përdorimin e tokës si dhe një shfrytëzim më i madh i ambientit natyral. Ky trend, mesa duket, do të vazhdojë dhe do të intensifikohet. Një pandemi është përcaktuar si një shpërthim epidemik që përfshin gjithë botën, ose në një zonë mjaft të gjerë, që kalon kufijtë ndërkombëtarë dhe zakonisht prek një numër të madh të popullatës. Ky përcaktim nuk përfshin asgjë rreth imunitetit të popullatës, virologjisë dhe rëndesës së sëmundjeve. Bazuar në këtë përcaktim, pandemitë mund të thuhet se ndodhin çdo vit në secilën hemisferë si në atë me klimë të butë jugoren dhe atë verioren. Duhet të theksojmë se që epidemitë sezonale kalojnë kufijtë internacionalë dhe prekin një numër të madh njerëzish e megjithatë epidemitë sezonale nuk konsiderohen pandemi. Pra pandemia është një përhapje e një sëmundje të re në botë. Ekspertët e shëndetit dhe shkencëtarët, janë të një mendimi që ajo nënkupton një rritje të një sëmundjeje në një zonë të madhe. Por ka disa mosmarrëveshje rreth mënyrave të tjera për të përcaktuar një pandemi si nëse sëmundja është e re, nëse është përhapur në një kohë të shkurtër dhe se sa e rëndë është ajo. Përpara se sa të flasin për një pandemi ekspertët duhet të konsiderojnë këto gjëra: Sa shpejt ajo është përhapur? Kemi një pandemi kur një sëmundje shtrihet mbi një zonë të gjerë; Sa shumë njerëz janë prekur? Një pandemi përfshin një numër të madh njerëzish; A është sëmundje e re? Një sëmundje e re ose një shtam i një sëmundjeje që shkakton pandemi dhe meqenëse trupi ynë ka pak ose aspak imunitet (mbrojtje) kundrejt tij, ai përhapet shpejt. Sëmundjet emergjente dhe riemergjente infektive, përcaktohen si infeksione që shfaqen për herë të parë në një popullacion (kafshësh apo njerëzish), ose kanë ekzistuar, por papritur shtojnë incidentet e tyre shumë shpejt apo shtojnë zonat e tyre gjeografike. Këto infeksione “emergjente”, apo “riemergjente”, janë ato, që shkaktojnë epidemitë apo pandemitë, të cilat shfaqen në intervale kohe të ndryshme, në vartësi të shkaktarëve të ndryshëm.
Cilët janë faktorët që shkaktojnë shpërthime të tilla infektimesh?
Ka shumë faktorë, të cilët janë shkaktarë që nxisin apo ofrojnë shfaqjen e këtyre pandemive. Këta faktorë, ose nxiten nga papërgjegjëshmëria e njeriut ose janë si pasojë e kërkesës së njeriut për më tepër influencë dhe pasuri. Që në kohet prehistorike, ndryshimet e mëdha, lidhur me prezencën e sëmundjeve në njerëz, përhapjen e pjesshme dhe llojet e patogjenëve kanë lindur si pasojë e aktivitetit human. Ndryshimet shoqërore, nga grupe të vegjël në komunitete të mëdha bujqësore janë të lidhura me emergjencën(shfaqjen) e sëmundjeve ngjitëse tek njeriu. Lehtësitë e udhëtimeve dhe të kolonizimeve, gjithashtu, lehtësuan futjen e sëmundjeve në popullatën naïve humane ose animale. Në fund të shekullit, me përmirësimin e të ushqyerit dhe të higjienës si dhe me përdorimin e vaksinave dhe të antibiotikëve u reduktuan ndjeshëm niveli i sëmundjeve infektive. Megjithatë, në dekadën e fundit, rritja e udhëtimeve ndërkombëtare si dhe e tregtisë globale, ekspansionit human dhe popullacioni në rritje i kafshëve, si dhe ndryshimet në sjellje në raport me ambientin sidomos, si dhe afërsia midis njeriut dhe kafshëve, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me riskun e rritjes së sëmundjeve dhe potencialin për pandemitë. Në këtë drejtim, shkaktarët zoonotikë, ata që kalojnë nga kafshët tek njerëzit, si më thënë „janë vënë në garë“ se kush është më i aftë të përhapet më shpejt dhe të shkaktojë më shumë dëme në popullatën humane dhe animale.
Si lindi SARS COV 2?
Tek njerëzit, sot, gjenden gjithsej 1,407, specie patogjenësh, nga të cilat 13% apo 177 prej tyre, vlerësohen si emergjente apo riemergjente. Prej të gjithë specieve patogjenë, 208 janë viruse ose prione, përfshi 77 (37%) që vlerësohen si emergjente ose riemergjente, baktere janë gjithsej 538 dhe 54 (10%), respektivisht (emergjente ose riemergjente); kërpudha 317 dhe 22 (7%), respektivisht; protozoarë 57 dhe 14 (25%), respektivisht; dhe helmintë janë 287 dhe 10 (3%), respektivisht emergjentë ose riemergjentë. Këto të dhëna tregojnë qartë që patogjenët, përgjegjës për pandemitë apo epidemitë, janë pikërisht ato me orgjinë nga kafshët, shpendët apo kafshët e egra. E tillë ishte dhe pandemia e fundit nga SARS-CoV-2, ku shkaktari i saj, është me orgjinë nga sisorët(lakuriqët).
Mund të përmendni disa nga pandemitë më të rënda që është përballur njerëzimi?
Pandemitë më të rënda që kanë ndodhur në botë në shekuj po i përmend më poshtë. Vdekja e zezë për të cilën ekspertët mendojnë se është shkaktuar nga bakteria që quhet Yersinia pestis, që përfshiu Europën në vitet 1347-1351, e si pasojë e saj vdiqën 25 milionë njerëz. Një tjetër pandemi është pandemia e influencës së 1918-1919 ku vdiqën rreth 50 milionë njerëz në gjithë botën. Ajo shpesh quhet dhe “gripi spanjoll”. Kjo jo se virusi filloi atje, por Spanja ishte një nga vendet e para që shpalli rastin. Lija e të vegjëlve ishte një pandemi që është shtrirë përmbi 100 vjet. Ekspertët vlerësojnë se më shumë se 300 milionë njerëz kanë vdekur nga kjo sëmundje vetëm në shekullin e 20. Përdorimi i vaksinës e bllokoi atë. Ajo u deklarua e çrrënjosur në vitin 1980. Virus i imunodeficiencës humane (HIV) dhe kjo sëmundje ka shkaktuar vdekjen e 32 milionë njerëzve në mbarë botën.
Nga vjen origjina e pandemive?
Faktorët që shkaktojnë lindjen e pandemive, janë ata që shkaktojnë shfaqjen e sëmundjeve emergjente ose riemergjente. Shumica e pandemive të reja e kanë origjinën e tyre nga patogjenë “ZOONOTIK” të cilët kalojnë nga kafshët tek njerëzit, si pasojë e thyerjes së ashtuquajturës, barriera e species. Sipas shkencëtarëve edhe pandemia tjetër, pritet të jetë një shkaktare zoonotike. Zoonozat futen në popullacionin human nga dy rrugë si nga kafshët e domestikuara (të tilla si shpendët dhe derrat që mbahen në ferma) dhe nga kafshët apo shpendët e egra. Shumica e zoonozave sinjifikative historikisht janë futur në popullacionin human si pasojë e një “bashkëpunimi” të ngushtë midis njeriut dhe kafshëve si pasojë e domestikimit të tyre, fenomen i cili vazhdon pa ndërprerje dhe sot, ku nuk bëhet fjalë për domestikim real, por mbajtje për sportivitet i kafshëve dhe shpendëve me status shëndetësor të panjohur sidomos ato me orgjinë egzotike. Aktualisht kjo emergjencë vazhdon sidomos me zoonozat me potencial risku të lartë, si avian influenca, e cila shfaqet apo rishfaqet nga sistemet e mbarështimit të kafshëve. Disa patogjenë(përfshi Ebolën) e kanë origjinën nga kafshët e egra, nga rezervuarët dhe futen në popullacionin human si nëpërmjet gjuetisë apo konsumimit të tyre nga popullata humane(i ashtuquajturi bushmeat), nga tregtia e kafshëve dhe shpendëve të egra, formale dhe jo formale(kontrabandë) apo nëpërmjet kontakteve të tjera me kafshët e egra.
Si transmetohen patogjenët zoonotikë tek njerëzit?
Patogjenët zoonotik, në një pandemi ndryshojnë në masën në të cilën ata mund të mbijetojnë brenda dhe të përhapen midis bujtësve humanë. Shkalla e adaptimit shtrihet dhe vazhdon brenda popullacionit animal(Stadi i 1) deri në transmetimin vetëm brenda popullacionit human (Stadi 5). Shumë patogjenë zoonotikë nuk janë të adaptuar mirë tek njerëzit(stadi 2-3) prandaj shfaqen sporadikisht nëpërmjet kalimit të barierës së species dhe që mund të shpjerë në një shpërthim të lokalizuar, të quajtur “stuttering chain”(rishfaqje pa përparim). Këto episode të “viral chatter” rrisin rrezikun e pandemisë duke siguruar kushte për viruset që të adaptohen më mirë për tu shpërndarë brenda popullacionit human. Patogjenët që kanë kaluar stadin e tretë janë shqetësimi më i madh , për arsye se ata janë shumë të adaptuar tek popullata humane për të shkaktuar një zinxhir të gjatë të transmetimit midis njerëzve (direkt ose indirekt me ndihmën e vektorëve) dhe përhapja e tyre gjeografike nuk është e kufizuar nga hapësira e habitateve të një kafshe si rezervuar.
Cilët janë ata shkaktarë që ndikojnë në shfaqjen e viruseve zoonotikë?
Ndryshimet ekologjike dhe zhvillimi i bujqësisë, përfshijnë ata faktorë që lidhen direkt me zhvillimin ekonomik të botës dhe janë ndër faktorët më të rëndësishëm në, midis shumë faktorëve të tjerë të identifikuar si përgjegjës në shfaqjen e sëmundjeve zoonotike. Ata janë sidomos frekuent si faktorë në shpërthimet e sëmundjeve të panjohura më parë , me nivel të lartë të rast fatalitetit, të cilët rezultojnë të janë hyrje të patogjenëve zoonotike. Faktorët ekologjikë zakonisht shpejtojnë shfaqjen e vendosjes së njerëzve në kontakt me rezervuarët natyralë apo bujtës natyralë për një infeksion që deri tani ka qenë jo familjar, por zakonisht paraqesin (një sëmundje zoonotike ose një infeksion athropod-borne) ose nëpërmjet rritjes së afërsisë ose , më shpesh nëpërmjet ndryshimit të kushteve në mënyrë të tillë që të favorizojë rritjen e popullacionit të mikroroganizmave patogjenë ose të bujtësve natyralë të tij. Kështu p.sh. mund të përmendim në Amerikë dhe në Europë shfaqjen e sëmundjes së Lyme boreliozës si pasojë e ripyllëzimeve të mëdha të cilët ndihmuan në shtimin e popullacionit të drerit ose të riqnave të drerit të infektuar me shkaktarin e lymë boreliozës. Zhvillimi bujqësor, që është një midis shumë rrugëve të zakonshme, në të cilat njeriu ndryshon dhe ndërhyn në mjedis, është edhe një ndër faktorët e përhapjes së Hantan virusëve, shkaktar i ethes hemorragjike i cili shkakton vdekjen e mbi 100.000 njerëzve cdo vit në Kinë dhe që është e njohur prej shekujsh. Virusi është një infeksion natyral i miut të kuq të fushës(Apodemus agrarius). Ky bujtës i virusit gjëndet shpesh në fushat e orizit. Expansioni i mbjelljes së fushave me misër në Argjentinë ka favorizuar shtimin e rodentëve, bartës të virusit Junin, përgjegjës për ethet hemorragjike të ngjashme me virusin Hantan. Shembull tjetër dhe më tipik, që favorizon dhe mundësinë e shfaqjes së një pandemie të re është influenca e shpendëve e cila me sa duket ka orgjinë bujqësore në Kinë, në fermat komplekse(të integruara) me rosa dhe derra, të cilat nga njëra anë janë ekstremisht efektive për sigurimin e ushqimit për popullatën, por nga ana tjetër, në këto ferma, favorizohet lindja dhe shtimi i virusëve të rinj. Këtu virusi i influencës , gjen kushte të favorshme për shumëzim dhe rikrijim. Si pasojë, thuajse në mënyrë frekuente çdo vit ose çdo dy vjet shkaktohet një epidemi që lindin si pasojë e mutacioneve të shpeshta të tipit shift të virusit, rikrijimin, me marrjen e segmenteve nga viruse të tjerë, duke mundësuar kështu shfaqjen e një virusi të ri, përgjegjës për pandemi. Të dhënat tregojnë se rezervuarë të rëndësishëm për këtë virus janë rosat e egra të ujit, kurse derrat janë “enët përzierse të virusit”, për shfaqjen e virusit të ri për sisorët e tjerë, PËRFSHI DHE NJERIUN. Këto sisteme të praktikuara në Kinë për shekuj , krijojnë kushte që këto dy specie të jenë një laborator i lindjes dhe përhapjes vazhdimisht të viruseve të rinj, potencialisht pandemikë. Por fenomene të tilla me një bujqësi me intensitet të lartë si dhe lëvizje të kafshëve e shpendëve përmes kufijve, në kushte të përshtatshme shohim edhe në Europë.
A është uji një transmetues i infeksioneve?
Uji gjithashtu është i lidhur vazhdimisht me shfaqjen e sëmundjeve emergjente. Infeksionet transmetohen nga mushkonjat apo arthropodë të tjerë, të cilët mbartin sëmundje shumë serioze dhe më aftësi për përhapje të gjerë, shpesh stimulohen nga një ekspansion e zgjerimit të ujit të ndenjur, thjesht sepse mushkonjat shtohen në të. Ka shumë raste të shpërthimit të sëmundjeve nga këto arthropodë në ujë. Ka shumë virusë që barten nga rodentët e arthropodët që qarkullojnë me ujin për vaditje ku me ujin bashkë rodentëtët lëvizin km të tëra. Kështu si për sëmundjen e Encefalitit Japonez, për Rift Valley Fever që shpesh shpërthen mbas shirave e përmbytjeve etj etj. Për shkak se njerzit janë agjentë të rëndësishëm të ndryshimeve ekologjike dhe ambientale, shumë prej këtyre faktorëve janë anthropogenic (për faj të njeriut).
Sa ndikojnë lëvizjet demografike dhe sjellja e njerit në shfaqjen e smëundjeve emergjente?
Lëvizjet e popullatave humane apo përmbysjet, të shkaktuara nga migracioni apo luftërat, shpesh janë faktorë të rëndësishëm në shfaqjen e sëmundjeve emergjente. Në shumë pjesë të botës , kushtet ekonomike kanë inkurajuar lëvizjet masive të punëtorëve nga zonat rurale në drejtim të qyteteve. Sipas OKB, nga viti 2025, kryesisht si pasojë e migrimeve të vazhdueshme, 65% e popullatës së botës (pritet që të jetë më i madh në numër absolut), përfshi 61% të popullatës në vendet në zhvillim, do të jetojnë në qytete. Si pasojë e këtij, urbanizimit rural, u bë e mundur që HIVI të futet edhe në zonat e izoluara, të cilat kanë qenë larg popullacioneve të mëdha. Si pasojë e lëvizjeve masive, shtimit të popullatës në qytete, në rastet e shfaqjes së një infeksioni, ai do të përhapet lehtësisht tek shumë persona të tjerë edhe nëpërmjet autostradave, rrugëve të transportit interurban apo nëpërmjet rrugëve ajrore. Kështu, ethja hemorragjike Dengue, aktualisht është e zakonshme në shumë qytete të Azisë, ku prevalenca e infeksionit i atribuohet kontenierëve të hapur që shërbejnë për mbajtjen e ujit (këtu rriten e shtohen mushkonjat). Në ambientet e qyteteve të mëdhenj, prezenca e materiale(shisheve, gomave, bidonave) plastike krijojnë kushte të përshtatshme për zhvillimin e mushkonjave vektorë. Një shembull tipik është mbritja nga kina në vendin tonë e mushkonjave aedes me gomat e makinave që transportoheshin me vaporë. Si rezultat bumi i shtimit të mushkonjave, si dhe numri i madh i popullatës humane rrisin shanset e një cikli stabël të transmetimit të infeksioneve midis personave të infektuar dhe jo të infektuar. Po kështu edhe për sëmundjet seksualisht të transmetueshme etj etj. Rasti i SARS-CoV-2 është shembulli më tipik se si shkaktarët potencialisht të aftë për pandemi përhapen në këto kushte.
Sa ndikon teknologjia dhe industria në këtë proces?
Lëvizjet e shpeshta të volumeve të mëdha karakterizojnë jo vetëm udhëtimet por edhe industrinë në një shoqëri moderne. Në operacione të tilla, përfshi prodhimin e ushqimeve që përpunohet ose që përdor produkte me orgjinë biologjike, metodat moderne të prodhimit , japin rritjen e efikasitetit dhe uljen e kostove të prodhimit, por rrisin shanset e kontaminimit aksidental dhe amplifikimin e efekteve të këtij kontaminimi. Problemi rëndohet më tej si pasojë e globalizimit, duke krijuar mundësi për futjen e agjentëve nga larg. Kështu ndodhi p.sh. me shtamin e E.Coli O157:H7 që u fut në Amerikë, apo serotipe shtesë që janë identifikuar në vënde të tjera. Po kështu transporti i virusit të Ebolës, ku shumë raste sekondare ishin me orgjinë nga spitalet, shumica të transmetuar tek pacientë të tjerë me paisjet hypodermike. Lasa fever tek punonjësit e shëndetësisë etj. Këto shtame apo dhe mjaft të tjerë, kur bien në një populacion naiv, virulentohen dhe mund të përhapen më tepër në formën e epidemive e më vonë në formën e pandemive. Po përmëndim këto BSE, një sëmundje që mori përhapje mjaft të gjërë si pasojë e përhapjes së saj me miellin e mishit , të përgatitur nga mishi i kafshëve të prekura dhe që teknologjia e përpunimit në atë kohë, në 100 gradë, nuk e shkatërronte Prion proteinën infektive.
Çfarë janë mutacionet që pësojnë viruset?
Mikrobet, si të gjitha gjëtë e gjalla, janë vazhdimisht në zhvillim. Shfaqja e rezistencës antimikrobike si rezultat i mbizotërimit të antimikrobikëve në ambient është një mësim evolucionar në adaptimin mikrobik, gjithashtu edhe si një demonstrim i fuqisë së seleksionimit natyral. Seleksionimi per bakteriet rezistente kundrejt antibiotikëve dhe rezistenca e parazitëve kundrejt preparateve, është bërë bërë frekuent i nxitur nga përdorimi i gjërë dhe deri diku i papërshtatshëm i preparateve. Patogjenët gjithashtu mund të marrin gene të rezistencës antimikrobike nga një tjetër, shpesh jo patogjen, specie në ambient, e zgjedhur ose ndoshta i shkaktuar si pasojë e seleksionimit nga presioni i antibiotikëve. Shumë virusë kanë një shkallë të lartë të mutacionit dhe mund të ndryshojnë shumë shpejt duke prodhuar variante të rinj. Rasti më klasik është virusi i influencës. Epidemitë e rregullta vjetorë shkaktohen si pasojë e “antigjenik drift e shift”, gjatë një qarkullimi të mëparshëm të tij. Këto ndryshime ndodhin në proteinën sipërfaqësore të virusit, proteina H(hemoaglutininë), bëjnë të mundur që varianti i ri të infektojë personat të cilët janë infektuar më parë , po për shkak të ndryshimit të antigjenit(hemoaglutininave, tashmë nuk njihet nga sistemi imun. Në raste të rrallë, por më shpesh se ndoshta viruset, tek patogjenët jo viralë, evolucioni i varianteve të rinj mund të rezultojë në shfaqjen e një sëmundjeje. Epidemia e ethes të purpurtë braziliane në 1990, nga një variant i ri klonal i shfaqur rishtas i hemofilis influenca, biogrupi aegyptis eshtë një shembull tipik. Mungesa e masave të shëndetit publik si dhe deficiencat në infrastrukturë, ndihmojnë në përhapjen e mëtejshme të sëmundjeve të këtij karakteri. Përhapja e tyre edhe me rrugë të tjera, si uji apo persona bartës, me gjithë masat e mara , apo mos çuarja deri në fund e tyre, krijojnë shanset që ai të rishfaqet përsëri. Po kështu rastet e kolerës etj.
Si duhet të bëhet menaxhimi i një pandemie dhe të arrihet ajo që quhet “kurba e shtrirë”?
Shkencëtarët, të cilët studiojnë problemet e shëndetit të njerëzve si dhe ata qe merren me infektimin (epidemiologët) duhet dhe janë të kujdesshëm , kur flasin për pandeminë , pasi është një impakt i madh në jetën e përditshme për miliona njerëz, shoqërinë, biznesin dhe politikën. Gjatë një pandemie, qeveria qendrore dhe ato lokale dhe shëndetësia zyrtare , duhet që ti marrin seriozisht veprimet dhe masat për të luftuar dhe kontrolluar sëmundjet përkatëse. Ata mund të dërgojnë nga qendra në bazë materiale shëndetësore , dhe të tjera që duhen domosdoshmërisht për të shpëtuar jetët e njerëzve.
Qeveria duhet të marrë masa edhe për lëvizjet e njerëzve nga dhe në vendin e tyre, leje kjo e pjesshme, apo bllokim i plotë me synimin për mbrojtur shëndetin publik. Qëllimi kryesor në një pandemi është ajo që quhet “kurba e shtrirë”. Kur ekspertët hedhin sëmundjet në një grafik, është më mirë për shëndetin publik nëse ka një kurbë më të gjatë, më të sheshtë (me sëmundje të përhapura me kalimin e kohës), sesa një kurbë e shkurtër (me shume njerëz të sëmurë në të njëjtën kohë). Rrafshimi i kurbës përfshin të gjithë ata që ndërmarrin hapa për të kufizuar përhapjen. Këtu mund të futen veprime të tilla si qëndrimi në shtëpi, mbajtja e distancës sociale, larja e duarve shpesh, pastrimi i ambientit ku rrihet si dhe kufizimi i lëvizjeve te cilat janë faktorë vendimtare ne uljen e vdekjeve masive. Epidemia e gripit spanjoll ishte një model për këtë qëllim. Po kështu dhe SARSi aktual.
Cilat janë fazat e pandemisë?
OBSH ka një sistem alerti për pandeminë e influencës, me shkallë që fillojnë nga Faza 1(risk i ulët e pandemisë së gripit) deri tek Faza e 6( Deri tek pandemia e plotë): Faza e 1: Virusi me orgjinë nga kafshët(shpendët) ka shkaktuar infeksione të panjohura në njerëz; Faza 2: Virusi me orgjinë nga kafshët (shpendët) ka shkaktuar infeksion në njerëz; Faza 3: Raste sporadike ose sëmundja është prezentë në grupe të vegjël njerëzish. Nëse ka ndodhur transmetimi nga njeriu-tek njeriu, ky transmetim është i pamjaftueshëm për të shkaktuar shpërthime në nivel komunitar; Faza 4: Rreziku për një pandemi është rritur shumë, por jo e sigurt; Faza 5: Ka ndodhur përhapja midis njerëzve në më shumë se një vend të një regjioni të OBSH; Faza 6: Shpërthimet në nivel komunitar janë më së paku në një vend tjetër të ndryshëm nga regjioni i OBSH (faza 5). Pandemia globale po zhvillohet.
Cilat janë karakteristikat që influencojnë në epidemiologjinë e një pandemie?
Së pari, virulenca e shkaktarit, e cila është multigjenetike, është aftësia e virusit për të shkaktuar sëmundje, e cila varet nga faktorë të tillë si: ata që e lejojnë apo nuk e lejojnë të shumëzohet dhe përhapet shpejt në organizmin e bujtësit, modifikimi i mbrojtjes së bujtësit si dhe dëmtimi i qelizave të bujtësit apo dëmtimi i indeve dhe organeve. A është potenciali infektiv i patogjenit, që përcakton rëndesën e sëmundjes? Cili është tropizmi i shkaktarit(cili është organi më i pëlqyeshëm për patogjenin në fjalë). Virulenca e virusit bazohet në genet e tij përgjegjës dhe që shprehet me patogjenitetin. Genet e ndihmojnë virusin që ti shpëtojë sistemit imun, në nivelin e patogjenitetit, toksicitetit të virusit, shpejtësinë e shumëzimit etj. Karakteristika e dytë është potenciali mbrojtës i bujtësit, i lidhur direkt me potencialin mbrojtës të një individi, specifikisht imuniteti i lindur dhe ai i fituar kundër patogjenit. Imuniteti i lindur është i pari që vepron dhe vihet në lëvizje sa futet patogjeni në organizëm. Fuqia e tij është e lidhur direkt me shpejtësinë e shumëzimin dhe zhvillimit të sëmundjes. Sa më i shëndetshëm(jo i dhjamosur) të jetë organizmi i njeriut apo kafshës, aq më i fuqishëm është imuniteti i lindur. Ka viruse të cilët prodhojnë proteina specifikë si SARS-CoV-2 që prodhon proteinën nsp3, e cila bllokon imunitetin e lindur, e cila i jep shumë mundësi virusit të përparojë shumë shpejt. Veshja me materiale të ndryshme e virusit, si p.sh. e virusit SARS-CoV-2 me glykan i spikeve, bën të mundur që t’i shpëtojë të dy imuniteteve.
Një tjetër është dhe gjendja shëndetësore e organizmit pasi njerëzit me sëmundje të ndryshme, janë më të predispozuar apo më të rriskuar për t’u sëmurur më rëndë. Kështu sëmundje të tilla si: Presioni i gjakut, diabeti, goditjet në tru, sëmundjet kardiake apo të veshkave, mosha e individit, sëmundjet e sistemit imun, kanceri aktiv, mbipesha etj, të cilët e favorizojnë përhapjen e patogjenit.
Edhe mosha është faktor i rëndësishëm. Në përgjithësi moshat e reja(fëmijët) dhe të vjetrit, janë më të predispozuar, si tek njerëzit dhe tek kafshët, për tu prekur nga sëmundjet. Kjo lidhet më së pari me gjendjen e sistemit imun, ku tek të vegjlit, sistemi imun nuk është plotësisht i pjekur, ndërsa tek të vjetrit shkon drejt ezaurimit. Tashmë dihet se në vartësi të shkaktarit, temperatura e ambientit ka ndikime të ndryshme. Kështu në dimër, viruset favorizohen nga temperaturat e ulta, ku shkaktarët viralë, mbijetojnë më gjatë. Këtu ndikojnë dhe niveli i rrezeve ultraviolet që në dimër është mjaft i ulët. Niveli i vitaminave, sidomos vitamina D është ,gjithashtu faktor. Në verë ndodh e kundërta. Gjithsesi këta janë faktorë mbështetës dhe të vetëm nuk mund të kenë rol vendimtar, por duhen shfrytëzuar si mbështetës me masa të tjera. Ndërkohë me densitet të popullatës humane apo animale, kuptojmë numrin e njerëzve apo të kafshëve që jetojnë në një km katror. Ka një lidhje të drejtpërdrejt midis densitetit të popullatës dhe përhapjes së sëmundjeve. Lagështia është koncentrimi i ujit të avulluar në ajër. Ka një lidhje midis temperaturës së lartë dhe lagështisë, e cila ndikon direkt në koncentrimin e patogjenit në ajër si p.sh të SARS-CoV-2, viruseve respiratorë tek kafshët etj. Shumica e pandemive, orgjinojnë nga shkaktarët zoonotik, të cilët transmetohen nga kafshët tek njerëzit. Studimet e hershme, në habitatin e jetesës së kafshëve, është një masë efektive në njohjen e patogjenëve me potencial të mundshëm për pandeminë. Sipas shkencëtarëve, ekzistojnë të gjitha shanset që shkaktari tjetër i pandemisë së ardhme do të jetë me orgjinë zoonotike përsëri. Mos ndërhyrjet në habitatin e specieve të egra, fuqizimi i shkencës, institucioneve shkencore, organizimi, fuqizimi, aktivizimi i drejtimeve të ndryshme që lozin një rol të rëndësishëm në njohjen dhe parandalimin e pandemive, është detyrë e përhershme dhe mjaft e rëndësishme e qeverive që drejtojnë vendin. nuk mund të parandalohen pandemitë, sëmundjet zoonotike etj. vetëm me një strukturë: “një botë një shëndet” është e ardhmja e njerëzimit. kush nuk kupton këtë, asnjëherë nuk ka për të arritur objektivat e tija në drejtimin e një vendi, sado të zotë e të aftë të jenë njerëzit e një strukture. mentalitetet janë ato që e shkatërrojnë të ardhmen e një vendi.



