Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, dy pronarët e kompanive të lidhura me aferën e inceneratorëve, që çoi në pranga ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, janë shpallur sot në kërkim ndërkombëtar.
Vendimi u mor 30 ditë pasi Policia e Shtetit i shpalli në kërkim, shumë kohë pasi ata janë larguar nga vendi, duke ngritur dyshime se Zoto dhe Gugallja u ‘lejuan’ të arratisen, duke iu dhënë kohën e mjaftueshme për t’u fshehur.
Sipas raportimit të ‘Ora News’, që i referohet dosjes së SPAK, sistemi “TIMS” e nxirrte Zoton në Shqipëri deri në datën 1 dhjetor të vitit të kaluar, kur në orën 23:09 minuta ai është paraqitur në aeroportin e Rinasit. Pasi ka bërë chek-in-in në sportelin e policisë kufitare, Zoto, i cili zotëron një pasaportë portugeze, ka përdorur linjën ajrore “Lufthansa”, duke fluturuar drejt Frankfurtit në Gjermani. Ky është dhe destinacioni i fundit i tij, të paktën zyrtar, pasi mund të jetë larguar nga Gjermania në ndonjë shtet tjetër nëpërmjet rrugëve tokësore.
Të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe Stela Gugallja, e cila në datën 1 tetor 2021 ka zbritur në orën 14:59 minuta në aeroportin e Rinasit, pasi kishte ardhur nga Vjena. Por, ende pa u mbushur 24 orë qëndrim në Shqipëri, Gugallja është larguar nga territori i vendit tonë, duke përdorur po Rinasin. Sipas të dhënave të dosjes hetimore, që i janë referuar atyre të sistemit Teams, rezulton se Gugallja ka çekuar në orën 13:57, duke u larguar me linjën ajrore “Austrian Airlines” drejt Vjenës.
Stela Gugallja kërkohet në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k kurse Klodian Zoto, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Por si përfunduan në arrati Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, ndërkohë që kanë ende në menaxhim kompani që qarkullojnë qindra miliona euro me inceneratorët?
Pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, Prokuroria e Posaçme, SPAK shpjegoi se në cilësinë e ministrit, Koka ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit.
Stela Gugallja e Klodian Zoto, sipas SPAK, akuzohen se kanë dhënë rryshfet në drejtim të Kokës me qëllim sigurimin e lejes për ndërtimin e inceneratorit për të gjeneruar më pas fatura fiktive duke u vjedhur shtetit rreth 3.6 milion euro.
Pas hetimeve të kryera, SPAK ka zbuluar se shuma prej 3.6 milion eurosh i është dhënë në formë rryshfeti pikërisht Lefter Kokës.
Si u kaluan paratë për ryshfet drejt Lefter Kokës
SPAK shpjegon se e gjitha lidhet me ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, ku Lefter Koka, në cilësinë e ministrit të Mjedisit ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit.
Klodian Zoto dhe Stela Gugallja akuzohet se kanë pastruar para dhe kanë dhënë rryshfet në dretim të Kokës me qëllim sigurimin e lejes për ndërtimin e inceneratorit për të gjeneruar më pas fatura fiktive duke u vjedhur shtetit rreth 3.6 milion euro.
Pas hetimeve të kryera, SPAK ka zbuluar se shuma prej 3.6 milion eurosh i është dhënë në formë rryshfeti pikërisht Lefter Kokës.
Pasi morën lejen përmes dhënies së rryfshfetit në drejtim të Lefter Kokës sipas SPAK, inceneratori i Elbasanit, në pronësi të kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k, e administruar nga Stela Gugallja bënte fatura fiktive duke i faturuar punë të pakryera kompanisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Duke qenë se inceneratorët ishin projekte, të cilat u ndërtuan me fondet e shtetit shqiptar, ishte buxheti që duhej të përballonte këto pagesa. Rrjedhimisht, sipas SPAK, nëpërmjet kësaj skeme, buxhetit të shtetit i janë shkaktuar rreth 3.6 milion euro dëm.
Çfarë deklaronte një vit më parë Stela Gugallja pas akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha:
Rreth një vit më parë, kreu demokrat Lulzim Basha i kërkonte SPAK, të niste hetimet për inceneratorët. Në një konferencë për shtyp Basha është shprehur se një nga personat kyç për hetimin e inceneratorëve, është vënë nën presion nga mafia.
“I kërkoj SPAK-ut të nisë hetimet për aferën e mafies së inceneratorëve. Një nga personat kyç për hetimin e inceneratorëve, është vënë nën presion nga mafia. Mafia e plehrave, presion mbi një prej personave kyç në skemën mafioze të inceneratorëve, Stela Gugallja. Paralajmëroj SPAK-un se nëse ndonjë prej të dyshuarve kryesorë në aferën e plehrave largohet, do të jetë përgjegjësia e SPAK”, shprehej Basha asokohe.
Menjëherë, pasi emri i saj u përmend nga Basha, Stela Gugallja bëri një reagim duke u shprehur se është ndjerë e sulmuar dhe shantazhuar nga Partia Demokratike. Ajo shtonte se ndaj kompanisë së saj ishin kryer hetime nga Prokuroria dhe nuk ishte gjetur asnjë shkelje.
“Në respekt të familjes time dhe opinionit publik sqaroj se, nuk jam dhe nuk ndihem për asnjë moment e kërcënuar apo e shantazhuar nga askush. Në jetën e biznesit dhe jashtë saj nuk jam përfshirë në asnjë veprimtari të paligjshme që të më bëjë objekt shantazhi apo kërcënimi. I vetmi që më ka vënë nën presion dhe më shantazhon është zoti Lulëzim Basha dhe njerëz rreth tij”, është shprehur në reagimin e saj Stela Gugallja.
Arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe akuzat ndaj tij:
Ish-ministri i Mjedisit i Shqipërisë, Lefter Koka, është arrestuar në datë 14 dhjetor të vitit të kaluar me akuza për disa vepra penale në lidhje me hetimet për procedurën mbi kontratën e koncesionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimit të energjisë në Qarkun e Elbasanit.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka njoftuar se dyshohet se Koka ka konsumuar veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim.
Sipas njoftimit, nga hetimet është provuar se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncesionit në fjalë.
Më tej, theksohet se veprimet dhe mosveprimet, të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore janë kryer nga anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit në bashkëpunim me ish-ministrin Koka.
“Shtetasi L.K., në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare që janë përfitueset e kontratës së koncesionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë për arrestimin e Lefter Kokës.
Kjo është një çështje që ka dhe ngre shumë pikëpyetje, por njëra prej tyre është më kryesorja: A janë larguar Klodian Zoto dhe Stela Gugallja me ‘leje’ shtetërore?
Gjithçka mbetet për tu parë.




