Ne jemi për Maqedoni të bashkuar dhe për anëtarësimin e saj në NATO dhe BE, theksoi kryeministri bullgar Bojko Borisov pas takimit të sotëm në Sofje me kryetarin e Qeverisë së Maqedonisë Zoran Zaev.
Borisov theksoi se Maqedonia në mënyrë të brendshme-politike është stabilizuar dhe se ka shans historik për të bërë që qytetarët e saj të ndjehen më mirë.
“Rruga drejt BE-së dhe NATO-s kalon nëpër një stabilitet të brendshëm-politik. I respektoj njerëzit të cilët i qëndrojnë fjalës”, tha Borisov, duke sqaruar se natën e 27 prillit gjatë trazirave në Kuvendin e Maqedonisë në një bisedë telefonike Zaev i ka thënë se nëse bëhet kryeministër do ta vizitojë Sofjen dhe këtë tani po e realizon.
Borisov theksoi edhe se është shumë e rëndësishme të ketë lidhje infrastrukturore midis dy vendeve. Premtoi se do të punojë me Greqinë që të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura.

