Kryeministri bullgar Bojko Borisov tha nga Davos se ai ka mundësuar 120 milionë euro nga Evropa për Maqedoninë, për të ndërtuar një autostradë nga Shkupi në Sofje bën të ditur Haknews, njofton Almakos.
“Përmes një bisede me Merkel dhe Juncker u morrëm vesh të sigurojmë buxhet për Maqedoninë dhe Bullgarinë, për të ndërtuar një autostradë nga Shkupi në Sofje, e cila ka qenë gjithmonë prioritet. Zoran Zaev më kërkoi të përkushtohem, duke konfirmuar faktin se jam i hapur për të gjithë fqinjët si udhëheqës në Ballkan.
Arrita ta bind Merkel dhe Juncker se autostrada është jetike për Ballkanin Perëndimor dhe për sigurinë në rajon dhe se duke vepruar kështu, edhe një herë do t’u tregojmë të gjithëve se Evropa është një familje në të cilën të gjithë janë të barabartë. Prioritetet e Presidencës Europiane Bullgare vlerësohen me të vërtetë nga të gjithë në Evropë dhe na ndihmojnë të zhvillojmë Ballkanin”, thotë Borisov.
I pyetur se përse ai kërkoi para për Maqedoninë, në vend që të kërkonte për Bullgarinë veriperëndimore, autostradën nga Sofja në Vidin, ai u përgjigj:
“Paratë për në veriperëndim kanë kohë që janë lëshuar në Bullgari dhe ne po punojmë, kështu që në të ardhmen e afërt autostrada Sofje-Vidin do të jetë atje. Nuk është një rruge e zakonshme për t’u përfunduar brënda dhjetë ditëve”, tha Kryeministri bullgar./Almakos

