Kreu i OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt gjatë një takimi me studentët e Universitetit të Arteve tha se rruga drejt progresit dhe një të ardhmeje më të mirë është e vështirë, por ia vlen. Gjithashtu, ai garantoi se OSBE-ja është e përkushtuar ta ndihmojë Shqipërinë në arritjen e standardeve më të larta demokratike me qëllim përmbushjen e Angazhimeve të saj në kuadër të OSBE-së.
“Demokracia, Shteti i së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut janë shtyllat kryesore të shoqërive moderne dhe funksionale. Në fakt, qeverisja funksionale në Shqipëri pengohet ende nga mungesa e dialogut në nivelet më të larta politike, politizimi i administratës publike, administrimi i ngadaltë i zgjedhjeve, korrupsioni gjerësisht i përhapur dhe krimi i organizuar. Këto probleme nuk mund të zgjidhen për një ditë apo për një vit, por me angazhimin e secilit, jam i sigurt se Shqipëria do t’ia dalë.
Kryesia e Radhës e OSBE-së këtë vit e ka përcaktuar Rininë si një nga prioritetet e saj kryesore. Të rinjtë si ju janë ata që mbajnë në duar çelësin e drejtimit që do të marrë Shqipëria. Pjesëmarrja e të rinjve në jetën publike dhe në mediat sociale, parandalimi i radikalizimit të të rinjve dhe bashkëpunimi rajonal i të rinjve janë veçse disa nga prioritetet tona. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do ta mbështesë qeverinë në përpjekjet e saj për zbatimin e një plani tërësor në luftën kundër kanabisit.
Lufta kundër korrupsionit; ndihma për shkatërrimin e frenezisë së armatimeve të rrezikshme të mbetura nga koha e Hoxhës, përmirësimi i lidhjeve ndërmjet qytetarit dhe parlamentit; këto dhe një sërë projektesh të tjera janë në zbatim. Por, më është kërkuar të flas edhe mbi sfidat bashkëkohore për kulturën.
Besoj se Shqipëria në këtë fushë përballet me të njëjtat sfida si vendet e tjera. Ku jemi në lidhje me sfidat bashkëkohore ndaj artit dhe kulturës, në Shqipëri dhe në Evropë?”, tha Ambasadori i OSBE-së.
6 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)