Është ulur numri i të prekurve nga viruset, si pasojë e reshjeve të kohëpaskohshme të borës. Nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur që numër më i lartë i të prekurve nga viruset janë regjistruar në Qendrën e Shëndetit në Shkup, me 1046, ndërsa mbi 600 raste janë raportuar në Qendrat e Shëndetit Publik në Strumicë dhe Manastir. Ndërsa, sa i përket grupmoshave, më së shumti është atakuar grupmosha 15 deri 60 vjeç edhe atë me një numër të raportuar me 5680.
Ndërsa, tani Largime Jusufi-Ballazhi nga Shëndeti Publik tregon që numri i të prekurve nga viruset është zvogëluar për rreth 15%.
“Reshjet e borës, po ashtu edhe pushimet e nxënësve kanë ndikuar automatikisht në uljen e numrin e të prekurve nga ky virus. Gjegjësisht gjatë javës së kaluar, gjatë javës së parë të vitit 2017, duke përfshirë nga 1 tek 8, janë raportuar 8067 raste, ndërsa duke bërë një krahasim me javën e kaluar, ky numër është zvogëluar me një përqindje 14. 9%, që gjatë javës së kaluar numri vijonte në 9485, por gjithsesi duhet theksuar se ky numër është akoma i lartë dhe shënon një aktivitet të lartë te virusi”, ”, ka deklaruar për TV SHENJA, Largime Jusufi-Ballazhi, ISHP.
Jusufi më tutje tregoi që një numër i madh i qytetarëve u janë nënshtruar vaksinave kundër gripit
“Deri tani janë vaksinuar 99.9%, kanë ngelur vetëm 5 doza edhe atë nga raportet 4 doza janë në dispozicion në Gjevgjeli dhe një në Gostivar. Gjithsej janë të vaksinuar 26.665. Më së shumti janë të vaksinuar grupmoshat mbi 65 vjet edhe atë me një përqindje 57.5 %, gratë shtatzëna nuk janë të vaksinuara”, ka thënë më tej ajo.
Largime Jusufi tha që edhe pse numri i të prekurve nga viruset është zvogëluar, ekziston ende rreziku për një rritje të saj. Ajo potencoi se nuk duhet harruar që, 2 fëmijë të moshës tre dhe katër vjeç, njëri nga Gostivari dhe tjetri nga Kërçova ndërruan jetë si pasojë e këtyre viruse. Andaj ajo porositi që sidomos gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël të kenë kujdes të veçantë, ndërsa personat të cilët kanë simptome më të lehta të viruseve të qëndrojnë në shtëpi dhe të marrin masat e duhura që të mos lejojnë përhapjen e tyre, kurse personat që kanë komplikacione, pra simptome më të ashpra atëherë të kërkojnë kujdes intensiv.
Largime Jusufi bëri të ditur që, ky Institut në web faqen e saj ka nxjerrë masat e duhura, si të mbrohemi nga viruset po ashtu dhe si të merren masat e duhura që duhen aplikuar gjatë kësaj periudhe kur temperaturat janë shumë të ulëta.