LSDM publikoi një të ashtuquajtur bombë , ku pretendon se kompania familjare e drejtorit të Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta, Ivica Tomovski, prej institucioneve shtetërore dhe komunave, ka fituar 161 tenderë në vlerë prej 5,3 milion euro. Zëdhënësi i LSDM-së, Sasha Dimitrieviq, publikoi të dhëna në kuadër të projektit “Bomba 2.0” përmes së cilës partia opozitare paralajmëroi zbardhjen e skemave kriminale të partisë në pushtet.
“Me ardhjen e DPMNE-së në pushtet, kompania e Tomovskit, e ka rritur veprimtarinë e saj për 306 për qind. Edhe atë vetëm në vitin 2024. Vetëm këtë vit, 2025, kompania ka fituar 10 tenderë, prej pothuajse gjysmë milioni euro”, tha Sasha Dimitrieviq, LSDM.
Sipas Dimitrieviq, bëhet fjalë për kompaninë “City Logistic”, pronar i së cilës prej momentit kur është themeluar është Vitomir Tomovski nga Struga, baba i Ivica Tomovskit, ndërsa drejtues është Sllobodan Kutanovski, familjarë i afërt i tyre.
“Më pas ndryshon emri i kompanisë në ‘City autsorsing’ në adresën e njëjtë, numrin amë të subjektit të njëjtë, vetëm emri është ndryshe“, shtoi ai.
Kundërpërgjigjet Tomovski, duke hedhur poshtë këto pretendime, duke nënvizuar se aktualisht nuk posedon asnjë kompani private.
“E vërteta për rastin është kjo; kompania e përmendur nuk është e imja, as që kam ndonjë pjesë në të. Unë aktualisht nuk kam asnjë kompani private dhe jam i përqendruar vetëm në punën time si drejtor i Shërbimit për Çështje të përgjithshme dhe të përbashkëta. Gjatë gjithë jetës time kam punuar me ndershmëri, përgjegjësi dhe përkushtim dhe kështu do të vazhdo”, tha Ivica Tomovski, Drejtor i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të përbashkëta.
Tomovski u bëri thirrje të gjitha institucioneve kompetente që të bëjnë kontrolle lirshëm, ndërsa paralajmëroi padi për shpifje ndaj LSDM-së, nëse nuk kërkojnë falje./Alsat.mk


