Boki 13 i dha fjalët përfundimtare për rastin “Lidhja Ndërkombëtare”. Bojan Jovanovski deklaroi se organizata e tij nuk ka marrë asnjë denarë para të shtetit, por financimi ka qenë nga sektori i biznesit. Ai tha se ndjehet krenar për punën që ka bërë me organizatën joqeveritare “Lidhja Ndërkombëtare” dhe se organizata është formuar në mënyrë ligjore. Jovanovski gjithashtu tha se, nuk ka mashtruar asnjë biznesmen, asnjë politikan, por siç shtoi ata e kanë mashtruar Bokin.
Boki 13
“Deri në atë pikë mund të jem sharmant që ti mashtroj të gjithë? Po, jam i mençur dhe për këtë i falenderoj prindërit e mi. Unë nuk e kam keqpërdorur Zoran Zaevin, por ai më ka keqpërdorur mua”.
Për Marrëveshjet që janë nënshkruar, që janë pjesë e këtij rasti, Jovanovski tha se kanë qenë të sqaruara me detaje dhe askush nuk ka qenë i detyruar t’i nënshkruaj, as ka qenë i mashtruar dhe as i manipuluar, por përkundrazi, nënshkruesit kanë qenë në pozicion nga i cili lehtësisht kanë mundur që të kontrollojnë nëse bëhej fjalë për mashtrim ose jo. Për komunikimin me të akuzuarën Frosina Remenski, Boki tha se janë ndihmuar, jo për vepra penale, por në mënyrë shoqërore.
Ai kërkoi që gjykata të sjell vendim për lirimin e tij dhe se ndjehet plotësisht i pafajshëm.
Boki 13
“Gjykata të sjell vendim për lirimin tim nga aktakuza dhe apeloj si dhe e lus gjykatën që në vendimin gjyqsor të mos gjykojë karakterin dhe veprën time, por të gjykoj në bazë të provave. Ndërsa karakteri dhe vepra ime nuk janë aq të zymta, shikojeni edhe anën time të mirë, sepse kam kontribuar për shoqërinë, për të mirën e shoqërisë. Ndjehem plotësisht i pafajshëm”.
Denimet për këtë rast do të shpallen më 7 prill. Ky do të jetë denimi i dytë për Boki 13. Ai gjendet në burgun e Idrizovës, ku po vuan denimin me burg prej 9 vitesh për rastin “Zhvatja”. Po ashtu të akuzuar në rastin “Lidhja Ndërkombëtare”, janë edhe Mile Jovanovski babai i Bokit 13, ish deputetja e LSDM-së Frosina Remenski, Jasna Mandiq Ercegoviq, të cilët fjalët përfundimtare i thanë në seancën e kaluar. Boki akuzohet për veprën “Mashtrim dhe larje parash”, Remenski “Për ndihmë në veprën mashtrim”, Mandiq për “Ndihmë për mashtrim dhe larje parash” dhe Mile Jovanovski për “Ndihmë për larje parash” dhe për veprën penale “Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe trafik i paautorizuar i armëve”. Si person juridik, e akuzuar është edhe organizata joqeveritare “Lidhja Ndërkombëtare”.