Deputeti Ben Blushi ia kushtoi tërësisht fjalën e tij gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë çështjes së Kosovës duke akuzuar qeverinë shqiptare se ka pasur ndikimin më të dobët në rajon për zgjidhjen e krizës mes Serbisë dhe Kosovës. Sipas Blushit, pasoja e vetme dhe e arsyeshme e ndarjes së Veriut të Kosovës, do të ishte bashkimi i saj me Shqipërinë
“Është e qartë se serbët duan ta ndajnë Kosovën. Nuk besoj dhe nuk kam arsye ta besoj se ky është projekt ndërkombëtar, por jam i sigurt se në të ardhmen për shkak të hutimit të përgjithshëm mund të kthehet në një projekt ndërkombëtar. Përveç Kosovës, edhe Shqipëria e ka humbur peshën në rajon e më gjerë.
Diplomacia jonë është pa plan, pa koherencë dhe pa ide, totalisht e personalizuar dhe me dekor të kryeministrit. As për Kosovën nuk ka një qëndrim për interes kombëtar, po vetë si qëllim personal i kryeministrit.
Kemi sheqerosur marrëdhëniet me Serbinë, kemi helmuar marrëdhëniet me Greqinë. Jemi kaotikë në marrëdhëniet me Maqedoninë, dhe kemi luajtur një ruletë ruse në raportet me SHBA.
Unë kam propozuar një rezolutë në komision të jashtëm dhe do ishte mirë që të merrej me të,të kishte rezolutë në kushtet kur nuk ka një qëndrim sepse diplomacia jonë sot duhet ta bëjë të qartë se ndarja e Kosovës, ndryshim kufijsh në Ballkan, do kishte vetëm një pasojë. Nëse Kosova ndahet në veri, atëherë pasoja do ishte bashkim i Shqipërisë me Kosovën, pasoja e arsyeshme dhe e vetme nëse kjo ndodh. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i vetmi i arsyeshëm. Nuk do të ishte një Shqipëri e madhe por Shqipëri e re, jo e kërkuar nga shqiptarët por e provokuar nga të tjerët”, tha Blushi, tha Blushi.
Sipas Blushit, sot Kosova është më e dobët se kurrë pasi BE, për shkak të krizës së brendshme që po kalon, nuk ka një qëndrim për të.
“Dalja e Anglisë, kriza e refugjatëve, zgjedhjet në Amerikë e kanë futur BE në një krizë besimi. Sot politika e jashtme e këtyre vendeve nuk është në politikën e tyre të brendshme. Ajo që po ndodh në Kosovë është diçka të cilës ne nuk mund t’i shmangemi. Sot Kosova është më e dobët dhe më pak e mbështetur. Në 10 vjet nuk arriti të ketë kohezion të brendshëm. Rasti i Hardainajt është sinjal për të gjithë klasën politike të Kosovës”, tha Blushi.
26 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)