Kreiu i lëvizjes LIBRA, Ben Blushi ka deklaruar se situata e punonjësve të rafinerisë së naftës në FIER, ARMO, është tejet e rënduar. Duke parë se punëtorët nuk paguhen prej muajsh, Blushi thotë se kjo gjendje është krijuar nga mos reagimi i klientëve të Rilindjes që kanë privatizuar kompaninë.
Në një status në “Facebook”, deputeti i LIBRA-s thekson se me paratë që qeveria i ka dhënë Vangjush Dakos për Durrësin, do të mjaftonin për të dhënë pagat e prapambetura të punëtorëve.
“Rilindja që takson më shumë punën dhe trurin se dhjamin e ka braktisur njërën nga pronat me të vyera te vendit që është kompania ARMO. Çdo ditë punonjësit kërkojnë pagat dhe sigurimet e prapambetura të cilat nuk jepen nga klientët e Rilindjes. Sot ARMO po shfrytëzohet në mënyrë barbare dhe jo ligjore si gjithë sektori i naftës nga i cili humbim afro 200 milion euro në vit. Meqë Rilindja e ka shitur ARMO padrejtësisht po them çfarë do bëjë LIBRA, – shkruan Blushi. – Do t’ia kthejë publikut. Shqiptarët duhet të jenë pronarët e kësaj prone që po vidhet, shpërdorohet dhe keqtrajtohet. Vetëm paratë që Rilindja i ka dhënë Vangjush Dakos për të shëmtuar Durrësin në katër vjet, do mjaftonin për të shlyer pagat ndaj punëtorëve dhe për ta kthyer ARMON në pasuri të përbashkët”.
27 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)