Çdo kritikë që e thamë për Komunën e Zhelinës, aty kemi hapësirë për të investuar. Kështu tha Blerim Sejdiu nga Lëvizja BESA, në pyetjen se cilat do të ishin investimet që do të bëj në Komunën e Zhelinës. Ai tha se do të investojnë në sport, arsim, kulturë dhe në çdo sferë tjetër.
Blerim Sejdiu tha se për realizmin e projekteve ata asnjëherë nuk do të kërkojnë para nga qytetarët.
“Ne e kemi obligim që ata që i premtojmë edhe t’i realizojmë. Këtë do ta bëjmë. Ka shumë resurse, për shembull mërgimtarët që mund të jenë burim për zhvillimin e biznesit lokal. Edhe ata do t’i shfrytëzojmë në këtë drejtim, por jo t’i kushtëzojmë. Këtu është esenca jonë”, ka thënë Sejdiu në “Studio e hapur” në TV SHENJA.
Ai tha se infrastruktura është e shkatërruar tërësisht dhe në shumicën e fshatrave duhet të intervenohet.
“Në fshatrat s’ka rrugë siç është Grupçin, aty në tre mujorshin e parë asfalti do të shtrohet. Nuk e di dhe përse nuk është shtruar deri tani. Dy mandate rruga regjionale, ndoshta e dimë se nuk është në kompetencë lokale, por është dashur të bëhet presion. është rrugë që ka skaduar mbi 30 vjet”, tha Sjediu, në emisionin “Studio e hapur” në TV SHENJA.
Ai tha se shumë mërgimtarë janë të gatshëm të investojnë në Komunën e Zhelinës. Por, se nuk kanë pasur kushte dhe nuk iu është zgjatur dora për ta bërë një gjë të tillë.
“Çdonjëri mos të them më shumë nga 5 veta të punësojnë do të ishte një zbutje e papunësisë dhe rritje e nivelit të punësimeve. Dhe ky aspekt do ta shfrytëzojmë ngase kemi kontakt reale dhe konkrete. Jo vetëm me këtë por edhe me odën ekonomike të Gjermanisë, edhe në Turqi, Slloveni dhe gjithandej. Ata janë të gatshëm të investojnë në këtë drejtim”, tha Sejdiu.

