Blerim Bexheti, koordinator i Grupit Parlamentar të Frontit Europian, ka reaguar ashpër ndaj deputetëve të koalicionit VLEN, pas votimit të një ligji që, sipas tij, delegjitimon Inspektoratin e Gjuhës Shqipe. Në reagimin e tij, ai i akuzon për mungesë guximi dhe për veprim të fshehtë gjatë seancës parlamentare, duke e krahasuar mënyrën e miratimit të ligjit me kontrabandë politike.
“Nuk jeni ‘VLEN’ kur veproni në këtë mënyrë tinzare. Populli ju sheh dhe e ka kuptuar kush jeni dhe kujt i shërbeni”, ka shkruar Bexheti në një deklaratë publike.
Ai shton se për herë të parë Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet pa asnjë institucion të pavarur që mbron përdorimin e gjuhës shqipe dhe për këtë nuk fajëson vetëm shumicën maqedonase, por edhe deputetë shqiptarë që, sipas tij, vepruan të nënshtruar dhe të komanduar.
Në përfundim, ai ironizon mbështetjen e re për të drejtat gjuhësore shqiptare: Tani, kur dikush ta mohojë shqipen, kërkoni drejtësi te VMRO dhe ZNAM!