Deputeti i Frontit Europian, Blerim Bexheti, ka reaguar lidhur lidhur me porosinë që sot kanë pranuar nga Kuvendi i RMV-së, ku SMS-të e dërguara nga Kuvendi janë vetëm në gjuhën maqedonase. Lidhur me këtë situatë, ku nuk po zbatohet gjuha shqipe, deputeti Bexheti ka thënë se i njëjti standard i Kostadinovskit, po zbatohet nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, duke theksuar: “SMS-të vetëm në maqedonisht të Afrim Gashit nuk janë “gabim teknik”. Janë sinjal politik: se gjuha shqipe po trajtohet, jo si e dorës së dytë, por si gjuhë jozyrtare, madje as si “gjuhë e përkthyer”.
Postimi i plotë të deputetit nga Fronti Europian, Blerim Bexheti:
Kur kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut relativizon përdorimin e gjuhës shqipe dhe e përjashton atë edhe nga komunikimet bazike, si SMS-të për gjobat në trafik, ndërsa menjëherë pas kësaj i njëjti standard zbatohet nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, njëkohësisht një nga liderët e VLEN, atëherë kjo nuk është më rastësi.
Është koordinim. Është vijë politike. Është përjashtim i qëllimshëm.
SMS-të vetëm në maqedonisht të Afrim Gashit nuk janë “gabim teknik”. Janë sinjal politik: se gjuha shqipe po trajtohet, jo si e dorës së dytë, por si gjuhë jozyrtare, madje as si “gjuhë e përkthyer”.
Dhe kjo është alarm. Kjo nuk është më debat politik. Është çështje dinjiteti dhe rendi kushtetues.
Gjuha shqipe nuk është dekor. Është vijë e kuqe!
Nëse sot nuk është në SMS-të zyrtare të deputetëve, nesër nuk do të jetë në vendimmarrje. Pasnesër as në institucione.
Dhe kur gjuha hiqet nga shteti, hiqet edhe barazia.
Kjo nuk është vetëm e papranueshme. Është e rrezikshme.
Dhe nuk duhet të kalojë në heshtje.


