Përmes një postimi në FB kandidati i AKI-së për komunën e Sarajit ka pranuar humbjen dhe ka uruar kundër-kandidatin e tij duke i dëshiruar sukses në shërbim të komunës.
Postimi i plotë i Ramadanit:
Të nderuar qytetarë të Sarajit,
Zgjedhjet përfunduan, por rrugëtimi ynë jo.
Sepse beteja për idealet, për drejtësinë dhe për dinjitetin e këtij vendi sapo ka hyrë në një fazë të re.
Unë e uroj kundër-kandidatin për rezultatin dhe i dëshiroj sukses në shërbim të komunës sonë.
Por mbi çdo fitore numerike qëndron një fitore më e madhe, ajo e ndërgjegjes, e besës dhe e qëndrimit për të vërtetën.
Ne e dinim se kjo nuk ishte vetëm një garë politike, por një sprovë karakteresh, që do të tregonte kush qëndron për parime dhe kush i shet ato për interesa të çastit.
Ashtu si në Betejën e Hendekut, që Zoti e përmend në Kuran, humbja nuk ishte humbje, por zbulesë.
Ishte momenti kur u dalluan ata që besuan me zemër nga ata që u dorëzuan për përfitime.
Kështu ndodh gjithmonë: sprovat nuk të rrëzojnë, por të pastrojnë nga ata që nuk i përkasin rrugës tënde.
Ne do të vazhdojmë këtë betejë me të njëjtin besim, me të njëjtën dashuri për Sarajin, dhe me kokën lart.
Sepse ideali ynë është më i madh se çdo mandat.
Ne luftojmë për një politikë që nuk blihet, për një Saraj që ngrihet mbi dije, punë e ndershmëri, për një të ardhme ku çdo familje ndjehet e përfaqësuar dhe me dinjitet.