Biznes forum me temë “Sfidat e menaxhmentit të resurseve njerëzore në kompanitë në Maqedoni” u mbajt sot në organizim të Fakultetit për biznes dhe ekonomi në Universitetin e Evropës Juglindore. Sipas dekanit të fakultetit Izet Zeqiri bizneset private duhet t’i kushtojnë kujdes më të madh kuadrit njerëzor si kusht i domosdoshëm për zhvillimin e mëtejshëm duke filluar nga rekrutimi për vendet e punës, përmes selektimit, zhvillimit dhe vlerësimit të kuadrit.
“Sipas problemeve dhe strukturës së të punësuarve me të cilët për momentin punojnë kompanitë në Maqedoni duket se menaxhimi me kuadrin nuk është adekuate për shkak se kompanitë kanë probleme me produktivitetin dhe efikasitetin. Në këtë kohë të derdhjes së madhe të punonjësve dhe ekspertëve të kualifikuar në vendet e huaja duhet të gjejnë modele adekuate dhe të jashtme si paga dhe bonuse por edhe të brendshme si motivim për rezultate më të mira dhe të ngjashme jo vetëm që ta gjejnë profilin e kërkuar, por edhe t’i mbajnë dhe përsosin punonjësit për zhvillimin e kompanisë”,
tha Zeqiri.
Për profesorin Abdulmenaf Bexheti përveç largimit të të rinjve dhe kuadrove arsimore në vendet e huaja kohëve të fundit vërehet largimi edhe i më të moshuarve të cilët me përvojën dhe kualifikimet e tyre kanë njohuri që të ballafaqohen me sfidat e biznes punës moderne.
“Vetë sektori privat posaçërisht ai nga puna e mesme dhe e madhe duhet të ketë drejtori më të posaçme menaxhuese me faktorin njerëzor për shkak se me menaxherë të vegjël nuk mund të ketë rritje dhe zhvillim të kompanisë posaçërisht të kalimit të saj në tregjet perëndimore drejt të cilëve
synojmë. Këtu duhet të inkuadrohet edhe Qeveria që të mundësojë mbështetje për menaxherë adekuat në kompani përkatëse të cilët do të merrnin pjesë në tregjet konkurrente të BE-së dhe CEFTA-s”, konsideron Bexheti. Pronari i “Dauti Komerc” Xhemail Dauti në fjalimin e tij theksoi se si kompani që ka rritje të shpejtë janë në gjurmim të përhershëm për ekipim me kuadër profesional për çfarë arsye kanë zhvilluar bashkëpunim si me UEJL-së dhe universitetet e tjera në vend ashtu edhe me Agjencinë për Punësim.