Universiteti Ndërkombëtar i Ballkanit (IBU) inauguroi zyrtarisht BISTLAB | Laboratorin e Ekonomisë dhe Financave të Ballkanit në kuadër të Fakultetit të Ekonomisë dhe Shkencave Administrative. Laboratori është themeluar në bashkëpunim me Borsa İstanbul A.Ş., duke shënuar investimin e parë të Borsa İstanbul jashtë Turqisë dhe një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve akademike dhe ekonomike ndërmjet rajonit dhe Turqisë.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të qeverisë, institucioneve akademike, financiare, mediave dhe komunitetit të biznesit. Të pranishmëve iu drejtuan Assoc. Prof. Liza Allili Sulejmani, Dekane e Fakultetit të Ekonomisë dhe Shkencave Administrative; Prof. Dr. Lutfi Sunar, Rektor i IBU-së; Recep Süleyman Özdil, Kryetar i Bordit të IBU-së; si dhe mysafirë të nderuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve dhe Bursa e Maqedonisë.
Fjalë rasti mbajtën edhe Asst. Prof. Elena Parnardzieva Stanoevska dhe Asistentja Diellza Billalli nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Shkencave Administrative.
BISTLAB synon të shërbejë si një qendër bashkëkohore kërkimi dhe mësimorje që lidh teorinë me praktikën në fushat e ekonomisë, biznesit dhe financave. Përmes mësimit të bazuar në simulime dhe kërkimit të drejtuar nga të dhënat, laboratori do të kontribuojë në rritjen e edukimit financiar, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe afrimin e akademisë me ekonominë reale.
Ngjarja përfshiu fjalime përshëndetëse, prerjen e shiritit dhe një lojë virtuale të tregtimit, të organizuar në bashkëpunim me Bursën e Maqedonisë, ku studentët e IBU-së demonstruan aftësitë e tyre analitike dhe praktike në fushën e tregjeve financiare.
Ceremonia u përmbyll me një sesion rrjetëzimi, që theksoi përkushtimin e IBU-së për të ndërtuar partneritete që nxisin arsimin, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në rajon.
https://www.facebook.com/share/p/196Wv2KcHT/


