Dhjetëra prej tyre kanë nisur prodhimin e koktejeve të molotovit teksa ukrainasit po i rezistojnë pushtimit të Rusisë.
Birraria në këto 11 ditë të pushtimit rus ka prodhuar mijëra shishe shpërthyese, të cilat i ka shpërndarë pothuajse në të gjitha qytetet ukrainase.
Punëtorët kanë thënë se kur fjala u përhap se birraria po prodhonte molotovët, njerëzit nga i gjithë Lvivi erdhën me çanta të mbushura plot me shishe të zbrazëta me qëllim që t’i mbushnin me lëndë djegëse.
“Tre ditë më parë nisëm me këtë shishe që të bëjmë diçka sepse birraria ishte mbyllur dhe kolegët nisën të bënin koktejet. Prodhuam mijëra kokteje, të cilat ia kemi dërguar Forcave Mbrojtëse me qëllim që të ishin gati në rast se ushtarët dhe tanket ruse vijnë këtu. Kemi dërguar disa edhe në Kiev dhe në qytetet tjera ku kanë nevojë kundër taktikave ushtarake”.
Me shishe në dorë ai me krenari tregon etiketën. Në të shihet fotografia e Putinit të zhveshur dhe i rrethuar me tanke dhe automjete tjera të gjakosura.
“Çdo gjë nisi në vitin 2014 kur rusët erdhën në Krime dhe në rajonet tona lindore. Këtu kemi Putinin me bombën bërthamore, ndërkaq është i rrethuar me ushtarë dhe mjete ushtarake. Janë të përlyer me gjak sepse kjo është ajo që sjellin ata”.
Në dijeni se shkaku i famës që kanë marrë për prodhimin e molotovëve, prodhimi i tyre tani po bëhet në një vend shumë larg fabrikës. Tani molotovët po bëhen në një hapësirë që dikur shërbente për festivale muzikore.
Ndërkaq, shishet e mbushura me birrë në një lokal në qendër të Lvivit, kanë mbetur nëpër rafte. Ukraina ka ndaluar shitjen e alkoolit që prej javës së kaluar.
Edhe në Dnipro, civilët i janë bashkuar luftës. Fillimisht ishin të frikësuar, por tani e dinë se duhet rezistencë.
Shumë prej tyre kanë rrokur armët, por të tjerët si gratë dhe fëmijët kanë një mision, prodhimin e koktejeve të molotovit.
Rusia ka thënë se ka sulmuar vetëm caqet ushtarake të Ukrainës, por urat, shkollat dhe lagjet janë bombarduar që kur nisi pushtimi i Ukrainës nga veriu, lindja dhe jugu.