Në një kohë kur valët e gjata të të nxehtit, thatësirat kontinentale dhe presioni gjithnjë e më i madh mbi burimet ujore për shkak të ndryshimeve klimatike po bëhen më të theksuara, qindra pishina private në Shkup dhe rrethinë mbushen me ujë pa u marrë parasysh nëse sistemi i ujësjellësit mund ta përballojë përdorimin e tyre. Përveç kësaj, pjesa më e madhe e tyre, mbi 90 për qind, janë ndërtuar pa dokumentet e kërkuara me ligj, të cilat duhet të sigurohen nga komunat, tregon analiza e re e BIRN-it.
Edhe pse procedura është pothuajse formalitet – duhet vetëm të dorëzohet një kërkesë me dokumentacionin shoqërues dhe të merret vendimi përkatës – të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se shumë rrallë dikush e ka ndjekur këtë procedurë.
Kjo do të thotë se kushdo që ka hapësirë në oborr dhe rreth dhjetë mijë euro në dispozicion, mund të angazhojë kompani ndërtimi që të hapin një gropë, të vendosin pajisjet dhe të krijojnë një objekt që mund të mbajë aq ujë sa nevojat mujore të dy deri në tri familjeve.
Në Shkup dhe rrethinë ka rreth 400 pishina private, ndërsa më pak se 10 për qind e tyre janë ndërtuar me vendime të lëshuara nga autoritetet lokale. Këtë e tregojnë të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për qasje në informacione me karakter publik, si dhe përmes shqyrtimit të pamjeve satelitore të rajonit të Shkupit.
Sipas Ligjit për Ndërtim, pishinat për përdorim individual, të ndërtuara në nivelin e terrenit, bëjnë pjesë në objektet për të cilat nuk kërkohet leje ndërtimi, së bashku me rreth tridhjetë kategori të tjera, si garazhet, shtigjet, strehët, vatrat e zjarrit në oborre dhe të tjera.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ato ndërtohen pa asnjë procedurë. Pronarët duhet t’u dorëzojnë komunave ekstrakt nga plani urbanistik, ku përcaktohet objekti në funksion të të cilit do të ndërtohet pishina, elaborat gjeodezik, projektin bazë me fazat e arkitekturës, ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe instalimeve elektrike.
Nëse parashihet që pishina të ndërtohet në një distancë më të vogël se 1.5 metra nga oborri i fqinjit, kërkohet edhe pëlqimi i fqinjit të drejtpërdrejtë.
Vendimi për ndërtimin e pishinës lëshohet nëse i gjithë dokumentacioni është në rregull.



