Të premten e kësaj jave do të mbyllet Spitali Modular në Gostivar. Përveç numrit të vogël të pacientëve që trajtohen aty, sipas informacioneve deri e të cilat ka ardhur televizioni Globi, objekti do u nënshtrohet kontrolleve shtesë rreth sigurisë, ndërsa do të shqyrtohet i gjithë dokumentacioni nga fillimi i ndërtimit e deri në lëshim në përdorim të të njejtit. Ky kontroll i jashtëzakonshëm vjen pas tragjedisë që ndodhi te spitali modular në Tetovë, për çka paralelisht me hetimin për shkaqet për të cilat shpërtheu zjarri, Prokuroria e krimit të organizuar dhe korrupsionit hulumton furnizimin publik për montimin e spitaleve modulare në mbarë Maqedoninë, në vlerë prej 4 milionë eurove. Ratko Naumoski, shef i Repartit Infektiv në Gostivar e konfirmon informacionin, por pa mos dhënë detaje.
“Në Spitalin Modular kemi vetëm tre pacientë, asnjëri nuk është në mbështetje të oksigjenit. Parashohim deri të premten ata të lëshohen dhe llogarisim që modularin përkohësisht ta mbyllim”, deklaron shefi i Repartit Infektiv në Gostivar, Ratko Naumoski.
Aktualisht në Gostivar ka më pak se 30 pacientë të infektuar nga Covid 19 që trajtohen në kushte spitalore, prej të cilëve vetëm dy janë në gjendje më të vështirë. Ka rënë ndjeshëm edhe numri i kotrolleve ambulantore.
“Në Repartin Infektiv në mëngjes kishim 18 pacientë, prej të cilëve katër i kemi lishuar në shtëpi që nënkupton se aktualisht kemi 14 pacientë, prej të cilëve shtatë janë nën mbështetje të oksigjenit, dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Në Repartin Internistik në mëngjas kishte gjashtë pacientë, dy në mbështetje të oksigjenit dhe në Repartin Neurologjik ka pesë pacientë, dy në mbështetje të oksigjenit. Edhe kontrollet ambulantore kanë rënë shumë dhe ata që vijnë me rezultat pozitiv, janë me gjendje shumë të lehtë klinike që nënkupton se mund të trajtohen edhe në kushte shtëpiake”, deklaron shefi i Repartit Infektiv në Gostivar, Ratko Naumoski.
Ndryshe, edhe ekspertët e sigurisë kanë sugjeruar që shteti të mbyllë përkohësisht spitalet modulare derisa prokuroria të mbyll hetimin. Hetimit do ti bashkangjitene dhe katër ekspertë të mjekësisë ligjore nga Gjermania./TvGlobi