Zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti duke folur për zhvillimet aktuale sa i përket zgjidhjes së kontestit të emrit, thekson se ka elemente pozitive në këtë proces, por sipas tij është shqetësues fakti se shqiptarët nuk janë të informuar sa duhet.
“Përfaqësimi i shqiptarëve në këtë proces nuk duhet të shihet në aspektin fizik se kemi aty një ministër apo një zyrtar tjetër. Me rëndësi është të jetë një përfaqësues që do ta barte dhe përfaqësonte një koncensus dhe element shqiptar në këtë proces. Shqiptarët duhet të jenë aktiv në këtë proces dhe jo të anashkaluar. Fatkeqësisht në takimin e fundit të liderëve ishte vetëm kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ku ne vlerësuam se nuk ka legjitimitetin e mjafrtueshëm për ti përfaqësu shqiptarët. Aq më pak nuk e pa të rrugës që ti thërras liderët e partive tjera shqiptare që ti informojë për rrjedhën dhe dinamikën.”, theksoi Bexheti për emisionin VOX të TV Shenja.
Ai theksoi se ASH pret që në të ardhmen kjo të ndodhë sepse nuk e ka askush të drejtën që në emer të shqiptarëve të jap apo të mbështes ndonjë nga propozimet për emrin, sepse kjo çështje duhet të hapet edhe përtej partive politike siç janë institucionet shkencore, arsimore dhe në instanca të tjera.
Sipas tij, ASH do të jetë shumë aktive në këtë proces dhe nuk do të qëndrojë symbyllur.
“Ne kemi deklaruar në asnjë mënyrë nuk do të kishim penguar këtë proces, pasi që është interes i përbashkët që të zgjidhet sa më shpejt dhe do të japim kontributin tonë, sepse përcaktimi strategjik është anëtarësimi në NATO dhe BE. Ne do të jemi konstruktiv dhe do të japim kontributin të pakontestueshëm, edhe pse nuk jemi pjesë e Qeverisë.”, nënvizoi Flakron Bexheti.
Sipas tij, ASH ka bërë të qartë se në asnjë mënyrë nuk do të përkrahë propozim me elemente apo parashtesa sllave, sa i përket aspektit gjeografik dhe historik.
“Një emër që do të ishte përtej elementeve historike dhe gjeografike do të ishte shumë më i kapshëm dhe do të reflektonte realitetin multietnik në Maqedoni. Nuk duhet rritur optimizmi i tepëruar sepse nuk është mirë ajo nëse jemi realist.”, theksoi zëdhënësi i ASH-së.