Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti në rrjetin social Facebook ka publikuar mesazhet e Kuvendit, ku shihet të jenë vetëm në gjuhën maqedonase. Bexheti për mosrespektimin e gjuhës shqipe ka akuzuar kreun e Kuvendit, Afrim Gashin.
Statusi i plotë i deputetit të BDI-së, Blerim Bexheti
“Kur kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut relativizon përdorimin e gjuhës shqipe dhe e përjashton atë edhe nga komunikimet bazike, si SMS-të për gjobat në trafik, ndërsa menjëherë pas kësaj i njëjti standard zbatohet nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, njëkohësisht një nga liderët e VLEN, atëherë kjo nuk është më rastësi.
Është koordinim. Është vijë politike. Është përjashtim i qëllimshëm.
SMS-të vetëm në maqedonisht të Afrim Gashit nuk janë “gabim teknik”. Janë sinjal politik: se gjuha shqipe po trajtohet, jo si e dorës së dytë, por si gjuhë jozyrtare, madje as si “gjuhë e përkthyer”.
Dhe kjo është alarm. Kjo nuk është më debat politik. Është çështje dinjiteti dhe rendi kushtetues.
Gjuha shqipe nuk është dekor. Është vijë e kuqe!
Nëse sot nuk është në SMS-të zyrtare të deputetëve, nesër nuk do të jetë në vendimmarrje. Pasnesër as në institucione.
Dhe kur gjuha hiqet nga shteti, hiqet edhe barazia.
Kjo nuk është vetëm e papranueshme. Është e rrezikshme.
Dhe nuk duhet të kalojë në heshtje”.


