Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti sot ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski se ai nuk po mbron identitetin maqedonas, por po minon shtetin.
“Deklaratat e fundit të Hristijan Mickoskit nuk janë as mbrojtje e identitetit, as patriotizëm janë thirrje të rrezikshme që ndezin urrejtje dhe i shërbejnë vetëm një agjende: përçarjes ndëretnike dhe bllokimit të së ardhmes evropiane të vendit. Me gjuhë viktimizuese dhe frikësuese, Mickoski nuk po e sulmon një ministër ai po godet vetë konceptin e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve”, shkruan Bexheti në profilin e tij në Facebook.
Bexheti thotë se Mickoski ndërton karrierë politike mbi përçarjen, jo bashkimin.
“Por ajo që e bën situatën edhe më të rrezikshme është heshtja dhe përulësia e VLEN-it, që në vend se të mbrojë interesin dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë, zgjodhi servilizmin politik. Në vend se të reagojë ndaj fyerjeve e retorikës përçarëse të partnerit të tyre të koalicionit, VLEN po bëhet palë me heshtje, duke legjitimuar një diskurs që rrezikon kohezionin social dhe rrugën euroatlantike të vendit.
Nuk është udhëheqje është lojë me zjarrin e përçarjes. Dhe ata që e ushqejnë këtë zjarr, qoftë me fjalë apo me heshtje, mbajnë përgjegjësi historike për pasojat”, shton Bexheti.