Të shkilen të drejtat elementare të njeriut deri në këtë përmasë, sa që nxënësive shqiptarë t’u ndalohet mësimi dhe edukimi fillestar në gjuhën e tyre amtare, do të thotë se jemi shumë larg zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Si mund të shpresohet në realizimin e të drejtave të shqiptarëve, që i premton ky Ligj i sapo shpallur në Fletoren Zyrtare , kur Ministri i Arsimit, njeriu më përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Arsim fillor, me të cilin garantohet shkollimi i tërësishëm në gjuhën amtare, rrëfimin sa të ndjeshëm aq edhe tronditës të nxënëses me emrin Leonorë, ndoshta për herë të parë e ka mësuar nga lajmi i TV 21.
Gazetari i këtij rrëfimi, i TV 21, në kërkim të së vërtetës, arriti të vijë te kjo e vërtetë dhe ta njohë publikun më të gjerë për këtë shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijëve shqiptarë, nga autoritetet komunale arsimore të Komunës së Velesit. Si mund të spjegohet ndryshe ky fenomen gjenocidi në arsimin shqip, përveç si krahasim me politikën arsimore të Mbretërisë së Jugosllavisë, kur Qeveria e saj i caktonte daskallët serbë të Nishit, Valevës, Kraguevcit dhe të qyteteve tjera të Serbisë në katundet e pastra shqiptare, për t’i mësuar dhe edukuar fëmijët shqiptarë në frymën serbomadhe. Mësimin në një gjuhë të këtillë të imponuar në atë kohë e përjetuan edhe maqedonasit, edhe pse për to, gjuha serbe nuk konsiderohej si krejt e huaj për to.
Nuk habit fakti se autoritetet bashkiake të Velesit e injorojnë gjuhën dhe shkollën shqipe, mbase kështu dhe ngjashëm ka kohë që po veprojnë, por ajo që nuk mund ta besoj, është mosreagimi i Ministrit shqiptar, apo mosinteresimi i tij për shtrirjen dhe mirëvajtjen e arsimit shqip në tërë territorin e këtij shteti. Populli thotë ,,Ra kjo vdekje e u pamë”, prandaj video materiali i gazetarit të Televizionit 21, nē bisedën me Vlorën e vogël dhe shokët e saj, të një fshati të Velesit, të lënë krejtësisht pas dore, që nuk dinin fare të shkruajnë e të lexojnë shqip, ndoshta do e zgjojë ndërgjegjen e fjetur, së paku të autoriteteve shqiptare të Ministrisë së Arsimit dhe të Partisë së tyre kaq vite në Qeveri.
Leonora Jakupi, kjo nxënëse intelegjente dhe me çiltërsi engjullore që me kohë e kishte ndjerë etjen për shkronjat shqipe, premton se gjatë jetës do arrijë shumë, ndoshta edhe nese do shkollohej në gjuhën joamtare, por ky rast do mbetet një njollë e zezë për Partinë shqiptare në Qeveri dhe për Ministrin e saj shqiptar, që edhe në këtë kohë të ambicjeve kinse të mëdha të tyre, nuk gjejnë forcë t’ua mundësojë nxënësve shqiptarë të këtij katundi të shkollohen në ghuhën e tyre amtare, me shkronjat e bukura shqipe që lindën pikërisht në Manastirin historik për shqiptarët.

