Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar për shfuqëzimin e ligjit të taksimit të lirë prej 15% nga Gjykata Kushtetuese, duke e cilësuar si një betejë të fituar të qytetarëve dhe opozitës.
Reagimi vjen përmes një prononcimi për mediat nga Tabaku, e cila u shpreh se ky tatim nuk kishte një bazë ligjore e se ndryshimi ndodh përmes institucioneve, duke iu referuar kësaj të fundit Gjykatës Kushtetuese e cila mori vendim për një çështje që deputetja demokrate ka luftuar së fundmi.
“Pas paraqitjes së argumenteve dhe fakteve ne fituam sot një betejë për të gjithë këto profesione të lira. Në fituam një betejë sepse GJK sot doli me vendim që tatimi mbi profesionet e lira është antikushtetues, që i diskriminonte profesionet e lira. Për këtë arsye nuk ka asnjë bazë ligjore që ky tatim të trajtohet ndryshe nga profesionet e lira. Kjo është një betejë e fituar e grupit parlamentar të PD, e profesionistëve të lirë, por më tepër është një betejë e fituar për qytetarët shqiptarë, për shtresën e mesme, për ata që punojnë me mundim dhe në mënyrë të padrejtë ishin duke u taksuar më shumë se çdo biznes tjetër”, tha Tabaku.