Fushata zgjedhore është duke përfunduar, opinioni si asnjëherë më parë ka pasur rastin që ti dëgjoj për së afërmi kandidatët dhe platformat e tyre, duke iu dhënë mundësia edhe për të bërë pyetje kandidatëve për temën që i ka interesuar qytetarit. Këtë qytetarëve ua kanë mundësuar mediat e ndryshme, duke organizuar debate me publik. Sipas njohësve të rrethanave, problem kryesor kanë qenë rrjetet sociale dhe disa portale të cilët kontrolloheshin nga militantët e partive, zgjidhja e këtij problemi sipas tyre qëndron tek mospërfshirja e të njëjtave në ligjin aktual, shkruan Almakos.
Gazetari, Rijad Murati është i mendimit se gjatë kësaj fushate, televizionet kanë qenë më të balancuara gjatë raportimit në krahasim me vitet e kaluara. Madje, disa televizione në gjuhën shqipe për herë të parë po organizojnë debate nëpër komuna me pjesëmarrjen e qytetarëve.
“Ky format i emisioneve ka rezultuar me shumë sukses pasi i ka dhënë mundësinë qytetarëve të komunikojnë me kandidatët para kamerave, për t’u interesuar për programet dhe planet për komunat ku garojnë, por edhe për të shprehur kritika për mospërmbushjen e premtimeve. Krahas televizioneve, gjatë kësaj fushate elektorale, vend të rëndësishëm në informimin e qytetarëve kanë pasur edhe rrjetet sociale. Megjithatë, në shumë raste këto rrjete janë keqpërdorur nga militantët partiakë”, deklaroi Murati për Almakos.
Sipas Muratit kjo ndodh për shkak të mospërfshirjes së portaleve në Ligjin aktual për Mediat.
“Disa portale në disa raste kanë bërë fushatë për parti të caktuara dhe kjo duhet të jetë edhe një arsye shtesë që Qeveria e re urgjentisht të ndërmerr masa për të rregulluar me Ligj funksionimin e medieve në rrjetet sociale”, përfundoi Murati.
Profesori Universitar, Selam Isejni thotë se, mediat në përgjithësi në këto zgjedhje kanë qenë të konsoliduara dhe mund të them në nivel të detyrës, për faktin e thjesht se, mundësit teknologjike dukshëm avancuan.
“Rrjetet sociale mundësuan një plasim të informacionit në kohë reale, mbulimi i ngjarjeve u relizua në mënyrë proporcionale, më së paku kjo përshtypje u krijua për shkak se asnjëri nga aktorët nuk mungoj në ekrane apo platformat tjera”, deklaroi Iseni për Almakos.
“Sa i përket cilësisë të informacionit apo debatit, është diçka tjetër, por me siguri se nuk mund të flitet në superlativ për këtë çështje”, përfundoi ai.
Zgjedhjet lokale mbahen të dielën- 15 tetor.
/Almakos.com
Mevludin Imeri