Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa është adresa e vetme për shkatërrimin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe diskreditimit të liderit Ali Ahmeti nga skena politike. Sipas dy partive ky koalicion do të mundohet të përmirësojë jetën e qytetarëve në nivel lokal. Analistët thonë se ky koalicion mund të ketë jetë më të gjatë dhe do të jetojë edhe pas zgjedhjeve lokale, njohton Almakos.
Xhenis Sulimani, politolog thotë se besëlidhja në mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa është reflektim i dëshirës së elektoratit shqiptar.
“Ky koalicion ka vetëm një qëllim ta rrënoj Bashkimin Demokratik për Integrim, e cila ishte në “martesë” me famëkeqen VMRO-DPMNE në kohën më të keqe të politik bërjes, që njeh historia moderne e Maqedonisë. Vlerësoj së ky bashkëpunim do të ndikoj që të mobilizojë edhe elektoratin që nuk ka dalë deri tash në zgjedhje, fakt ky, që do të ndikojë në përmbysjen e rezultateve të raundit të pare”, deklaroi Sulimani për Almakos.
Sipas ish antarit të BDI-së, Ylber Murtezi, koalicionin Aleanca dhe Besa e imponoi vota e elektoratit.
“Në qoftë se programet e tyre janë në të mirë të popullit, atëherë patjetër se duhet te dëgjohet edhe zëri i sovranit. Një gjë duhet ta kemi të qartë sepse për këtë koalicion më i “zëshëm “ishte Ali Ahmeti dhe tani s’e “kuptoj” pse ka aq shumë frikë në palcë. Apo mos vallë tani nuk ka kohë Ahmeti të fus brenda koalicionit “Kalin e Trojës”, meqë dogma e tij funksionon në bazë te parimit “përçaj-sundo””, deklaroi Murtezi për Almakos
Sipas mendimit të Murtezit ky koalicion nuk do përfundoj vetëm me kaq, sepse sipas tij këto dy subjekte pas rrethit të dytë bashkëpunimin do ta thellojnë edhe më tepër sepse janë adresa e vetme për ta eliminuar nga skena politike Ali Ahmetin
“Uroj në të ardhmen mos të futet brenda këtij koalicioni ndonjë “djall” tjetër. Sidoqoftë më mirë vonë, se kurrë”, përfundoi Murtezi.
Artan Dika, shkruan se raundi i parë zgjedhor e qartësoi forcën reale politike aktuale të secilës prej tyre nëpër komunat përkatëse, duke e definuar raportin e forcave mes dy partive. Dika shpreson që formula 50:50 të jetë bazë e një dalje të përbashkët edhe në zgjedhjet parlamentare gjë që do të thoshte fund i sigurtë i pushtetit të korruptuar dhe të diskredituar të BDI-së.
“Bashkëpunimi i Aleancës për Shqiptarët me Lëvizjen Besa përbën rrezikun më të madh për BDI-në dhe humbjen e pushtetit nga kjo parti që nga viti 2002 e deri më sot. Arsyeja e një fushate për të hedhur baltë mbi këtë bashkëpunim me lloj lloj tezash, në të shumtën e rasteve qesharake, që thuren nga argatët e BDI-së është frika nga humbja e pushtetit dhe rrjedhimisht humbja e privilegjeve të funksionarëve dhe militantëve të saj”, ka shkruar Dika.
Mbrëmë në emisionin “ Click Plus”, Faton Fazliu, nga Lëvizja Besa dhe Naim Bajrami nga Aleanca për Shqiptarët, gjatë tërë kohëzgjatjes së emisionit debatues, insistonin që kritikave të rivalit të tyre BDI, që përfaqësohej nga Ilmi Selami, t’u përgjigjeshin me bindje se ky koalicion nuk është “kundër” dikujt, por “pro” një jete më të mirë për qytetarët e Maqedonisë.
Kujtojmë këta dy parti, që tashmë janë në koalicion për rrethin e dytë zgjedhorë i cili do të mbahet më 29 tetor, janë në ballafaqim në 13 komuna me Bashkimin Demokratik për Integrim. Konkretisht Lëvizja BESA në 7 komuna kurse Aleanca e Selës në 5 komuna.
Mevludin Imeri
Almakos.com