Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, së bashku me kryetarin e Këshillit Komunal, Valdet Xhaferi, morën pjesë në ceremoninë e shënimit të 117-vjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një prej ngjarjeve më të rëndësishme historike për kombin shqiptar.
Në fjalën e tij, Limani e vlerësoi Alfabetin e Kongresit të Manastirit si një bazë të fuqishme identitare dhe kulturore.
“Së bashku me Kryetarin e Këshillit Komunal të Gostivarit, mikun tim, z. Valdet Xhaferi, morëm pjesë në shënimin e 117-vjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një nga gurthemelët e identitetit dhe unitetit tonë kombëtar. Alfabeti i vendosur nga burrat e urtë të Kongresit të Manastirit mbetet trashëgimi thelbësore që ruan gjuhën, kulturën dhe vetëdijen tonë kombëtare,” theksoi Limani.
Ceremonia u organizua nga Qendra për Kulturë në Gostivar, në bashkëpunim me Komunën dhe shkollat e qytetit, ku nxënës të shkollave fillore interpretuan këngë, recitale dhe valle tradicionale shqiptare.
Limani u shpreh se performancat e nxënësve ishin një pasqyrim i gjallë i vlerës së gjuhës shqipe dhe i harmonisë ndërkulturore.
“Performancat e tyre na rikujtuan gjallërinë dhe vlerën e gjuhës sonë, si dhe rëndësinë e respektit ndërkulturor në një shtet multietnik,” tha ai.
Kreu i komunës falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit për atmosferën solemne dhe plot emocion.
“Mirënjohje të gjithëve për atmosferën plot krenari dhe emocion.
Zoti e bekoftë gjuhën shqipe!
Zoti bekoftë çdo gjuhë të botës!” përfundoi Limani.


