Lëvizja BESA derisa komenton propozimin e VMRO-së për daljen nga kriza shprehen të prerë se gjeneratorët e krizës kanë më pak të drejtë të propozojnë zgjidhje.
“Propozimi që sot e dha VMRO-DPMNE-ja, mendojmë se ajo si parti nuk është e denjë që të propozoj zgjidhje për faktin e thjeshtë se ata janë faktorët kryesorë të kësaj krize, andaj ata që e sollën vendin në këtë gjendje pa mos harruar këtu edhe partnerin e tyre shqiptarë. Ata që e shkëputën vendin nga integrimet euro-atlantike dhe e afruan me Rusinë dhe ata që edhe sot e kësaj dite po e mbajnë peng shtetin nuk mund të ofrojnë zgjidhje për dalje nga kjo situatë. Mendoj që ofertat e tyre nuk duhet të merren seriozisht, pasi që ata tani kanë hallin se si të shpëtojnë vetveten. Si të tillë nuk mund edhe të shihen si mundësi për zgjidhjen e krizës”, deklaroi zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Orhan Murtezani, për të shtuar se propozimet e saja VMRO_ja kishte mundësi të prezantonte dhe realizonte gjatë 10 vjeçarit sa ishte në pushtet.
“Edhe pse nuk vlen të komentohet më shumë, më lejoni të them vetëm këtë se gjithçka që ka mundur të propozoje dhe të bëjë VMRO-ja e ka bërë gjatë 13 viteve në pushtet dhe pasojat e saj po i ndjejmë edhe sot e kësaj dite. Faktori ndërkombëtarë gjatë gjithë historisë së shtetit të pavarësisë së Maqedonisë si shtet i pavarur, në asnjë moment nuk e ka r ekzistencën e këtij shteti po përkundrazi e ka ndihmua në të gjitha proceset, përfshi këtu edhe procesin e demokratizimit të shtetit”, tha Murtezani.
Sela: Gjeneratorët e krizës nuk kanë të drejtë të propozojnë zgjidhje
Ndërkohë nga ana tjetër kreu i Lëvizjes për reforma në PDSH, Zijadin Sela shprehet i qartë se VMRO-ja si gjeneratore e krizës nuk ka të drejtë të del me propozime për zgjidhjen e krizës në të cilën pikërisht ajo ka futur vendin.
“Ka kohë që jam deklaruar me propozimet e VMRO-DPMNE-së dhe prej në fillim qëndrimet e mia në lidhje me këtë përbërje udhëheqëse të VMRO-DPMNE-së kanë qenë shumë të qarta. Vazhdoj të mendoj se ata nuk duhet të propozojnë plane për dalje nga kriza, sepse ato janë ato që gjenerojnë kriza, ata nuk duhet të bllokojnë procesin e zgjidhjes së krizës e cila ka vite që zgjatë. Por ata do të duhet realisht të mos i mbajnë mbledhjet e komitetit qendrorë të tyre në parlament me debatin dhe plotësimin që i bëjnë njëri tjetrit, por ata do të duhet atë mbledhje ta mbajnë në selinë e partisë së tyre të shtrenjtë dhe ti nënshtrohen një procesi reforme të asaj mendësie të tyre në mënyrë që në të ardhmen ti hapin rrugë vetes që të trajtohen dhe të vendohen në pozicione që të japin edhe propozime për dalje nga kriza, etj”, tha Ziadin Sela, Lëvizja për Reforma në PDSH.
Sela madje tha se qëllimi i VMRO-së është që të izolohet Maqedonia dhe të mos bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane.
“Natyrisht që jemi kundër propozimit të tyre, sepse unë e kuptoj se nga rrjedh kjo dëshirë që zgjat e tyre që të izolohet Maqedoni. Ata po bëjnë çmos që Maqedoni mos inkuadrohet dhe mos jetë pjesë e strukturave të shteteve më demokratike të botës, dhe këtë e kanë dëshmuar mbi 10 vite. Kanë penguar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Europian, kanë penguar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO etj. Më se e kuptueshme se pse e bëjnë këtë. Njerëz të cilët janë të interesuar vetëm për para, krim dhe korrupsion, kuptohet që veprimi i tyre ka të bëj me krijimin e të ashtuquajturave kartele të tipit të tipit të shteteve të Amerikës Latine. Tendenca e kësaj udhëheqësie të VMRO-DPMNE-së është pikërisht këtu. Të krijojnë një oazë krimi nëpërmjet të cilit ato do të kontrollojnë edhe jetët e njerëzve pastaj dhe do të vazhdojnë që ti fshihen asaj që quhet shtet i së drejtës”, tha Sela.
Sipas Selës janë të kota tentimet e VMRO-së që të thirren në shumicën, sepse realiteti dhe numrat sipas tij flasin krejt ndryshe.
“Është më se e qartë se konceptet e tyre politike janë shumë mbrapa në kohë, ata kanë ngelur në të drejtën e vendosjes dhe thirren në shumicën, në ndërkohë që nuk e kanë një shumicë të tillë sepse numrat flasin për një realitet komplet tjetër dhe që është sot standard i vendeve të zhvilluara demokrate dhe që e kuptojnë në esencë demokracinë është respektimi i Ligjit dhe shtetit të së drejtës. Dhe propozimet e tyre kanë të bëjnë pikërisht me këtë dhe jo rastësisht orientimi i tyre është ato shtete që nuk e respektojnë ligjin. Bëhet fjalë për një oligarki të krijuar gjatë këtij 10 vjeçari por ndoshta edhe më tepër, e cila pastaj shpëtimin e vet të vetëm e gjen duke u bë pjesë të oligarkive tjera që ekzistojnë në botë, dhe ku më tepër se sa një oligarki të tillë e kemi të vendosur në Rusi”, u shpreh Sela për të shtuar se VMRO-ja është e gatshme që të shkëpus raportet me të gjitha shtete në të cilat respektohet ligji dhe e drejta dhe të gjitha ato shtete që kanë investuar dhe investojnë që në Maqedoni të ketë standarde dhe të respektohen të drejtat themelore të gjithsecilit dhe Maqedonia të bëhet pjesë e botës demokratike të civilizuar.

