Me precizimin e aktakuzës sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit, mbaroi faza e nxjerrjes se provave në rastin gjyqësor “Besa Trans”, i cili në dhjetor të vitit 2024 u kthye në rigjykim.
Precizimi sqaron rrethanat e kalimit të autobusit në pikat kufitare, por nuk ndryshon thelbin për të cilën akuzohet pronari Bekim Haxhiu dhe kompania si person juridik, respektivisht se autobusi ka kaluar kufirin me certifikatë licence të falsifikuar.
Prokurori i çështjes, Zoran Zdravev lexoi akuzën e precizuar, ndërsa më pas u anulua seanca pasi mbrojtja e Haxhiut kishte të caktuar seancë në lëndë tjetër.
Ndërkohë gjykatësi Ivica Stefanovski fillimisht kërkoi që seanca të mbahet në afat më të shkurtër, por më pas e pranoi kërkesën e mbrojtjes së Haxhiut që seanca e radhës të mbahej pasi të kalojë muaji i Ramazanit.
Në fazën e ardhshme, fillimisht Prokuroria, pastaj mbrojtja, do t’i japin fjalët përfundimtare, pas çka vijon faza e shpalljes së aktgjykimit.
Procesi gjyqësor nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me shkaqet e aksidentit tragjik të autobusit të “Besa Trans” në Bullgari, i cili ndodhi në nëntor të vitit 2021 dhe në të cilin humbën jetën 45 persona dhe 7 të tjerë u lënduan.
Megjithatë sipas Prokurorisë autobusi i aksidentuar nuk ka pasur fare licencë, ndërsa pronari nëpërmjet shoferëve, e ka kaluar kufirin me licencë të falsifikuar. Megjithatë, Haxhiu është shprehur se ndjehet i pafajshëm. Procesi gjyqësor mbi 3 vite ende nuk ka marrë epilog të plotfuqishëm.
Fillimisht Haxhiu u dënua me 20 muaj burg, por Apeli e ktheu lëndën në rigjykim. Paralelisht me gjykimin, kompania që ka kontrolluar teknikisht autobusin, ndodhet nën masa hetuese përfshi këtu edhe ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Oliver Spasovski i cili sipas procesverbalit, kontrollin teknik e kishte mbyllur vetëm disa ditë pas aksidentit. / Alsat.mk


