Lëvizja BESA ka akuzuar ish kreun e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami për falsifikimin e emrave të kryetarëve të degëve dhe anëtarëve të Këshillit qendror të Lëvizjes në dokumentacionin zyrtar të dorëzuar në gjykatë.
Zëdhënësi i Besës, Orhan Murtezani thotë se kjo është dëshmi që zbulon se Kasami ka qenë instrumentalizuar nga jashtë për ta bërë këtë manipulim.
“Më 4 dhjetor 2017 Kasami ka abuzuar detyrën e tij, duke dorëzuar listë tjetër të falsifikuar në gjykatë me kryetarët e degëve duke shkelur ligjin për partitë politike”, deklaron Murtezani.
Ai pohon se mashtrimet e Kasamit nuk kanë asnjë mbulesë statutare ose ligjore dhe se ato veprime nuk kanë mbështetjen e Këshillit qëndror.
“Në Kumanovë, kryetar dege i zgjedhur në të gjitha normat ligjore dhe statutore është Shenur Osmani, ndërsa Bilall Kasmi në gjykatë këtë e ka falsifikuar dhe si kryetar dege e ka paraqitur Driton Ramadanin, i cili asnjëher nuk ka qenë antar i Lëvizjes BESA. Në Likovë, kryetar legjitim dhe i zgjedhur është Fejzullah Emini, kurse Kasami në listën e falsifikuar e ka futur Avni Salijin. Në Haraçinë, në vend të kryetarit, Elham Abazit, ish kryetari ka vendosur, Amir Bajramin. Në Butel, në vend të kryetarit legjitim Driton Ademi është vendosur Besnik Idrizi”, tha Murtezani.
Të njëjtin falsifikim Kasami e ka bërë edhe në rastin e kryetarit të degës Saraj. Në vend të kryetarit legjitim Kasami në gjykatë ka dorëzuar emrin e Fahrudin Ibrahimit.
“Në Çair është kulminacioni, ndonëse edhe pëllumbat e kanë ditur që kryetar dege është zgjedhur Bekim Saliu, Bilall Kasami në gjykatë ka regjistruar Ramadan Nezirin”, shtoi Murtezani.
Përpos mashtrimeve me emrat e kryetarëve të degëve Kasami krye në vete në Këshillin qëndrorë ka vendosur Kurtish Salia dhe Rexhep Latifofski, të cilët kurrë nuk kanë qenë pjesë e Lëvizjes BESA.
“Ne nuk kemi koment se sa posht mund të ulet niveli I njeriut për ta ruajtur një fije pushteti. Çfarë tu deshtë kjo Bilall, duke pasur lavdin t’i e zgjodhe turpin”, përfundoi Murtezani.
Mevludin Imeri
Almakos