
Lëvizja BESA prezantoi planin e saj ekonomik për zhvillimin e rajonit perëndimor të Maqedonisë që përfshin disa vende, duke filluar prej Jazhincës së Tetovës e deri në Ohër e Strugë në kufirin me Shqipërinë. Nga Besa thanë se këtë projekt do ta kenë edhe si ofertë që do tu paraprin zgjedhjeve lokale.
Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami së bashku me përfaqësuesin e Institutit “Artifuture” nga Sllovenia, prezantuan projektin e quajtur ‘’Korab 2025’’ në të cilin parashihen shumë projekte nga fusha e turizmit dhe fusha tjera që do të zhvillonin ekonomikish pjesën perëndimore të Maqedonisë.
“Qasja e deritanishme e investimeve të jashtme ka qenë para së gjithash politike e jo ekonomike. Prandaj, për të pasur investime të qëndrueshme, edhe të jashtme edhe të brendshme, duhet të analizë, një studim, një qasje strategjike të cilën nuk e ka pasur Maqedonia. Ne si Lëvizje Besa e ofrojmë këtë qasje strategjike të zhvillimit ekonomik, veçanërisht të pjesës perëndimore. Besoj se edhe investitorët kur të vijnë nuk do të vijnë nga atraksioni politik të cilin e ofrojnë partitë politike por do të vijnë bazuar në interesin e vetë” , ka deklaruar Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Sipas Institutit “Arti Future”, me realizimin e projektit “Korabi 2025”, vendet e përfshira do të kenë lidhje me infrastrukturë rrugore, kanalizim, ndriçim, por edhe investime për zhvillim të turizmit dhe projekte që do të ngrenë standardin e jetesës së qytetarëve.
“Instituti jonë punon në projekte zhvillimore dhe prandaj edhe jemi pjesë edhe e këtij plani. Më vjen mirë që kolegët nga Shkupi e vërtetuan idenë tonë. Vetë programi është shumë ambicioz, është proces i cili do ndoshta edhe 10 vite dhe shoh se ka mjaftë energji për të realizuar këtë projekt. Shpresoj se ne do të jemi pjesë e këtij procesi”, deklaroi Andrej Kajbiç, Instituti Artifuture .
Projekti parashikohet te zhvillohet gjatë tetë ose dhjetë viteve të ardhshme por në disa faza. Do të bëhen investime të ndryshme kryesisht në hotelieri që besohet se do të jetë pika shtytëse e zhvillimit ekonomik të kësaj pjese të Maqedonisë.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/