Lëvizja Besa dhe Aleanca Për Shqiptarët ende nuk kanë vendosur nëse do të jenë pjesë e qeverisë me LSDM-së. Zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani tha që vendimi i kryesisë së partisë tyre varet nga veprimi i presidentit Ivanov, nëse do të rishqyrtoj vendimin për dhënien e mandatit, partisë e cila siguroi nënshkrimet e 67 deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë. Ndërsa sa i takon qeverisjes së Zevit, Murtezani tha se qeveria mund të formohet edhe pa pjesëmarrjen e Lëvizjes Besa dhe se ato to të bashkëqeverisin vetëm nëse mandatari i ri do ju bëjë ndonjë ofertë për pjesëmarrje në qeveri.
“Numrat për formimin e qeverisë i kanë LSDM, BDI dhe Aleanca. Në rast se mandatari i ardhshëm na dërgon ndonjë ofertë për pjesëmarrje në qeveri, atëherë konform asaj oferte organet e Lëvizjes Besa do marrin vendim. Aktualisht po presim si do zhvillohet situata më tej dhe në radhë është presidenti, të shohim a do e tërheq vendimin e tij dhe të shohim nëse do e jep mandatin ose jo. Aktualisht nuk ka ndonjë vendim tjetër të kryesisë së partisë, pos atij për dhënien e nënshkrimeve për formimin e shumicës parlamentare”, ka deklaruar Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes Besa.
Orhan Murtezani më tej tha se kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov duhet t’i merr seriozisht rekomandimet dhe sugjerimet e faktorit ndërkombëtar, pasi që siç tha ai, gjithë ato sugjerime vijnë nga miqtë tanë si shtet të cilët këtij vendi i kanë ndihmuar për gjatë gjithë këtij procesi dhe se të gjitha ato sugjerimet dhe rekomandimet janë për të mirën, para se gjithash të shtetit, pastaj edhe të të gjithë qytetarëve të këtij vendi.
Nga ana tjetër edhe Alenca Për Shqiptarët akoma nuk ka vendosur se cili do të jetë hapi i ardhshëm sa i takon qeverisjes së LSDM-së. Nga LR PDSH, njëra prej 3 partive në këtë koalicion, thanë për televizionin Shenja se kryesia e partisë akoma nuk ka sjellë një vendim për pjesëmarrje në Qeveri.
“Kryesia e LR-PDSH-së ende nuk është mbledhur, për të biseduar për këtë çështje. Deri më tani, nuk kemi diskutuar dhe nuk kemi marrë ndonjë vendim si parti”, kanë thënë nga LR PDSH.
Ndërkaq, mbrëmë zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani para mediave deklaroi se partia e tij ka vendosur që të jetë pjesë e Qeverisë me LSDM, sepse me këtë vendim thonë ata, respektojnë vullnetin e shqiptarëve.
Emine Ismaili /SHENJA/
Qeveria e re, ky është qëndrimi i BESËS dhe LR… by tvshenjaofficial