Një pjesë e parave pritet të përfundojnë edhe në Maqedoni, u tha gjatë promovimit të “Programit për financim të ekonomisë së gjelbër në Maqedoni”, me ç’rast zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, theksoi se çdo një euro e investuar në efikasitetin energjetik rezulton me kursimin e dy pikë dy eurove në prodhimin e energjisë elektrike.
“Nëse ne më parë zhvillimin ekonomik e kemi parë nëpërmjet rritjes së shpenzimit të energjisë elektrike, sot në botë kjo nuk është ashtu. Sot zhvillimi ekonomik shihet me atë se sa do ta rrisni bruto prodhimin duke zvogëluar harxhimet e energjisë. Maqedonia ka caktuar të zvogëlojë harxhimin e energjisë në 14,37% në disa vitet e ardhshme dhe këtë mund ta bëjë vetëm me efikasitet energjetik dhe investime në projekte të burimeve të energjisë së rinovueshme”,-deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Aktualisht më pak se 10% e amvisërive në vend kanë implementuar masa për efikasitet energjetik, theksuan udhëheqësja e Zyrës së Banka Europiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim në Maqedoni, Ana Joana Jonesku, dhe përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Maqedoni, Nikolla Bertolini, të cilët besojnë se programi në fjalë do të kontribuojë për ruajtjen e ambientit dhe fatura më të ulëta të energjisë.
“Besoj se programin që e ofrojmë e që është pjesë e programit rajonal për përmirësimin e efikasitetit energjetik në shtëpitë e qytetarëve të gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor, do të kontribuojë për kursim të energjisë, ambient më të pastër jetësor dhe fatura më të ulëta për energji elektrike”,– tha udhëheqësja e Zyrës së BERZh-it, Ana Joana Jonesku.
“E dimë se mundësitë ekonomike të qytetarëve të Maqedonisë nuk janë në nivel të lartë që ta përmirësojnë efikasitetin energjetik në shtëpitë e tyre, prandaj duhet t’u ndihmojmë që ta bëjnë atë që e bëjmë ne në BE”,- theksoi përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Maqedoni, Nikolla Bertolini.
Programi për efikasitet energjetik ka filluar të implementohet në vitin 2009 për sektorin privat, ndërsa më pas është përfshirë edhe sektori publik dhe që nga viti 2015 edhe ai rezidencial./MRT2/