Bërns: SHBA-të do të kyçen në negociatat Shkup-Sofje

Bërns: SHBA-të do të kyçen në negociatat Shkup-Sofje

DIMITROV: BULLGARIA E KA SHKELUR NENIN 2 TË MARRËVESHJES

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian dhe do të bëjnë gjithçka të mundur për të çuar proceset përpara. Kështu deklaroi Ambasadorja amerikane në Shkup, Kejt Mari Bërns duke konfirmuar se SHBA-të do të kyçen në këtë çështje dhe në negociatat.

KEJT MARI BËRNS, AMBASADORE E SHBA-së
“ Vazhdojnë bisedimet me të gjithë partnerët, kemi bisedime me qeverinë këtu në Shkup, bisedime me vendet fqinje dhe në të gjithë Evropën, që të bëjmë çfardo që mundemi që ta mbështesim lëvizjen e procesit përpara. Nuk kam ndonjë paralajmërim konkret në këtë moment, përveç që të konfirmoj se SHBA do të kyçet në këtë çështje dhe bisedimet, sepse të gjithë e ndajmë vizionin e njejtë që Maqedonia e Veriut të merr vendin e merituar në BE dhe shpresojmë se kjo do të jetë shpejtë.”

Por, Zv/Kryeministri për Çështje Evropiane thotë se problemi kryesor në përparimin e bisedimeve qëndron tek atmosfera e shantazheve që vijnë nga pala bullgare.

NIKOLA DIMITROV, ZV/KRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE
“Problem i madh për përparimin e bisedimeve rreth historisë dhe temat ku kemi dallime, është atmosfera e kërcënimit. Edhe populli maqedonas edhe ai bullgar kanë një thënie “me forcë nuk ka bukuri”. Nuk mund të ketë afërsi të vërtetë dhe progres të vërtetë nëse kjo atmosferë shantazhi vazhdon. Nuk mund të kemi afërsi të vërtetë dhe përparim kur ka kërcënime. “

Dimitrov shtoi se Bullgaria e kë shkelur nenin 2 të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë.

NIKOLA DIMITROV, ZV/KRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE
“Bullgaria e ka shkelur nenin 2 të Marrëveshjes, sipas të cilit Sofia do të na ndihmonte në rrugën evropiane, dhe jo të na bllokojë dhe të na largojë. Ne përjetuam dy veto dhe përjetuam problematizim të diçkaje që është shumë e brendshme, problematizim I gjuhës tonë në nivel evropian dhe në këtë kuptim këto hapa e kanë bërë shumë të vështirë dialogun e sinqertë. Ky është problem kryesorë në këtë moment.”

Këto komente u bënë gjatë nënshkrimit të memorantumit me qendrën për zhvillim ndërkombëtarë të Estonisë. /KlanMacedonia