Komuna e Dibrës do të deponojë mbeturinat e saj në deponinë rajonale të Rajonit Jug-Perëndimor që pritet të ndërtohet në Novaci, një komunë rurale në afërsi të Manastirit. Këshilli komunal i Dibrës aprovoi një vendim me të cilin – në bazë të Ligjit për bashkëpunim ndërkomunal dhe Ligjit për vetëqeverisje lokale, si dhe të Statutit të komunës Dibër, u përcaktua vendosja e bashkëpunimit ndërkomunal me komunat të Rajonit Jug-Perëndimor për tejkalimin e problemit me mbeturinat.
Sqarime ka dhënë kryetari i Këshillit komunal të Dibrës, Fuat Spahiu, ndërsa ka thënë se vendimi ka përcaktuar themelimin e bashkëpunimit ndërkomunal me komunat Novaci, Prilep, Manastir, Krushevë, Dollnen, Mogillë, Krivogashtan, Demir Hisar, Resnjë, Ohër, Strugë, Kërçovë, Pllasnicë ,Qendër Zhupë Vevçan, Debërcë dhe Makedonski Brod , për tejkalimin e problemit me mbeturinat. Ai sqaroi se bashkëpunimi garanton një mënyrë shumë efikase për të deponuar mbeturinat në deponi ajonale . Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka para këshilltarëve potencoi se si deponi rajonale është përcaktuar një lokacion në Komunën Novaci, në afërsi të Manastirit, ndërsa shpreson se ky bashkëpunim përgjithmonë zgjidh problemin e mbeturinave në të gjithë komunat e këtij rajoni dhe normalisht, edhe të Dibrës.
Këshilltarët në kuadër të aktiviteteve në fjalë sollën edhe vendim për themelimin e Komisionit të përbashkët për themelimin e ndërmarrjes publike për menaxhim rajonal të komunave nga rajoni. Ky komision do të përgatit projekte dhe aktet për themelimin e ndërmarrjes. Komisioni do të ketë 18 anëtarë, nga të cilët Komuna Dibër në këtë komision do të ketë 2 anëtarë. Në seancë u dhanë sqarime se një pjesë e komunave të Rajonit Jug-Perëndimor kanë sjellë vendimet e nevojshme që para një muaji. Ndërtimi i deponisë rajonale në afërsi të Manastirit, respektivisht në Komunën Novaci, pritet që definitivisht edhe ky rajon i Maqedonisë së Veriut të tejkalojë problemet me mbeturinat.
Aktualisht në Dibër me këtë projekt, siç edhe në komunat e tjera, do të ketë vetëm Qendër për grumbullimin të mbeturinave, nga ku pastaj mbeturinat do të transportohen në deponinë rajonale në Novaci. Kjo do të thotë se Dibra përgjithmonë do të tejkalojë problemet me grumbullimin e mbeturinave të cilët tani deponohen në deponinë e qytetit , e cila është në afërsi të qytetit dhe shumë afër rrugës Dibër-vendkalimi kufitar “Bllatë” mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Sipas të dhënave të drejtorit të ndërmarrjes komunale “Standardi”në Dibër, Burim Kaba, deponia mbushet shumë shpejt dhe nuk i ka standardet e nevojshme. Po ashtu edhe pse ka aktivitete të komunës për grumbullimin e mbeturinave edhe nëpër fshatrat e Dibrës, çdo fshat ka deponi të egra, të cilët ndotin ujërat dhe tokën pjellore të komunës. (koha.mk)